Sport
Premtimi i Mbappe: E bëj të lumtur Perezin, jap gjithçka për këtë stemë dhe klub
Kilian Mbappe është një lojtar i Realit të Madridit, teksa më 16 korrik firmosi një kontratë 5-vjeçare me klubin spanjoll.Një ëndërr që ai kishte që në fëmijëri dhe që ka nisur të materializohet pak ditë më parë kur ai bëri dhe prezantimin përpara 80 mijë të pranishmëve në “Bernabeu”. Kanë kaluar tri ditë nga ai moment dhe kapiteni i Francës ka dhënë tashmë intervistën e tij të parë si lojtar i ri i Realit të Madridit.
Ishte në “Realmadrid TV”, televizioni zyrtar i klubit, në të cilin ai foli për mbërritjen e tij në klubin për të cilin ka qenë tifoz që i vogël. Një ëndërr që sot është realitet, siç thotë ai në intervistë. Por dhe një premtim i madh për presidentin Perez që gjithë këto vite ka bërë gjithçka për ta sjellë atë në Madrid.
Çfarë do të thotë të luash për Realin e Madridit?
Kjo do të thotë shumë për mua. Për shumë vite, që kur isha fëmijë, e kam pasur këtë ëndërr të luaj për Madridin. Më pas ishte një objektiv, sepse kur isha profesionist gjithmonë kisha synimin të arrij këtu. Dhe tani kam një ëndërr tjetër: të jem kulmi i historisë së këtij klubi, më i miri në botë, dua të jap gjithçka për këtë fanellë dhe këtë stemë.