Politike
Presidenca e re e BE-së sinjalizon hap të ri për Shqipërinë
Shqipëria mund të kalojë në një fazë të re të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, nëse gjatë gjashtë muajve të ardhshëm demonstron progresin e nevojshëm në reformat themelore, deklaroi zëvendës ministrja e Qipros për Çështjet Evropiane, Marilena Rauna.
Në një deklaratë me shkrim, pak ditë përpara se Qiproja të marrë Presidencën e Këshillit të BE-së, Rauna theksoi se presidenca qipriote do të kontribuojë aktivisht në avancimin e procesit të zgjerimit, ku Ballkani Perëndimor mbetet një prioritet kyç.
“Me kusht që Shqipëria të demonstrojë progresin e nevojshëm në fushat themelore, gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, Qiproja do të kontribuojë në kalimin në fazën tjetër të rëndësishme të procesit të anëtarësimit të vendit”, thuhet në deklaratë.
Zëvendës ministrja qipriote theksoi se perspektiva e anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimor është bërë sërish reale pas vitesh stagnimi. Ajo bëri të ditur se Mali i Zi po hyn në një fazë vendimtare të negociatave dhe se gjatë Presidencës së Qipros pritet krijimi i grupit të punës për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit.
Në të njëjtën kohë, Rauna deklaroi se presidenca qipriote do të punojë për rikthimin në binarë të procesit të anëtarësimit të Serbisë, duke adresuar sfidat me të cilat përballet ky vend.
Deklarata riafirmon gjithashtu mbështetjen e BE-së për Ukrainën dhe Moldavinë, duke vlerësuar progresin e tyre në kushte jashtëzakonisht të vështira, si dhe angazhimin e BE-së për një zgjidhje gjithëpërfshirëse të çështjes së Qipros, në përputhje me rezolutat e Kombeve të Bashkuara.