Connect with us

Bota

Presidenti amerikan: Ndoshta Elon Musk duhet të kthehet në Afrikën e Jugut

Grindja e Donald Trump me Elon Musk mbi propozimin e buxhetit të presidentit amerikan duket se po arrin në ekstrem.

Në grindjen e fundit midis dy burrave, Musk zbuloi emrin e partisë që “do të formohet të nesërmen” nëse buxheti miratohet, dhe Trump u përgjigj me kërcënimin se “ndoshta ai (Musk) duhet të shkojë në shtëpi në Afrikën e Jugut”.

Musk ishte i pari që i hodhi benzinë ​​zjarrit duke akuzuar administratën Trump për “shpenzime irracionale” që po e shtyjnë kufirin e borxhit me një rekord prej 5 trilionë dollarësh. Edhe një herë, ai foli për nevojën për të krijuar një parti të re që “vërtet kujdeset për njerëzit”.

Pak kohë më vonë, ai i bëri qëllimet e tij edhe më të qarta, duke shkruar: “Nëse ky projektligj i çmendur për shpenzimet miratohet, Partia Amerikane do të themelohet të nesërmen. Vendi ynë ka nevojë për një alternativë ndaj sistemit njëpartiak Demokrat-Republikan, në mënyrë që njerëzit të mund të kenë vërtet një ZË”.

Në të njëjtën kohë, ai “nguliti” në llogarinë e tij X rezultatin e sondazhit që kishte kryer përmes së njëjtës platformë, sipas të cilit 80% janë pro krijimit të një partie të re në SHBA. “Zëri i popullit është zëri i Zotit”, shkroi Musk.

“Ndoshta ai duhet të shkojë në shtëpi në Afrikën e Jugut”

Pak më vonë, përgjigja e re e Donald Trump erdhi nëpërmjet rrjeteve sociale, i cili me postimin e tij në Truth Social, “i tregoi derën e daljes” nga SHBA-ja manjatit të Afrikës së Jugut, duke shkruar, ndër të tjera, “Elon ndoshta duhet ta mbyllë biznesin e tij dhe të kthehet në atdheun e tij, Afrikën e Jugut”.

Sipas postimit të Trump, “Elon Musk e dinte, shumë kohë para se të më mbështeste me kaq forcë për presidencën, se unë isha kundër fuqimisht makinave elektrike të detyrueshme. Është qesharake dhe gjithmonë ka qenë një pjesë e madhe e fushatës sime. Makinat elektrike janë në rregull, por jo të gjithë duhet të detyrohen të blejnë një të tillë”. “Elon mund të marrë më shumë subvencione se çdo person tjetër në histori, dhe pa subvencione, Elon ndoshta duhet ta mbyllë biznesin e tij dhe të kthehet në atdheun e tij, Afrikën e Jugut. Nuk do të ketë më lëshime raketash, satelitësh apo prodhim makinash elektrike, dhe vendi ynë do të kursejë një pasuri. Ndoshta duhet t’i kërkojmë DOGE-it ta marrë seriozisht në konsideratë këtë? DO TË KURSEJË SHUMË PARA!!!” përfundoi presidenti amerikan postimin e tij.

 

Advertisement