Politike
Presidenti Begaj nderon personalitetet që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës

Në një ceremoni solemne në Prishtinë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, nderoi personalitetet nga Shqipëria dhe Kosova që kanë kontribuar në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e historisë së përbashkët dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve. Ai e ka konsideruar këtë moment si një ngjarje të rëndësishme për forcimin e lidhjeve kombëtare dhe përpjekjet për një të ardhme të qëndrueshme e demokratike.
Fjala e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, në ceremoninë e dekorimit të personaliteteve nga Shqipëria e Kosova në Prishtinë që kanë kontribuar për lirinë e pavarësinë e Kosovës:
Historia duhet kujtuar dhe vlerësuar. Ne shqiptarët mirënjohjen e kemi virtyt dhe nuk duhet të vlerësojmë vetëm ndërkombëtarët, por edhe veten tonë. Unë e falënderoj shumë Presidenten Osmani për gjithë këtë vlerësim të sotshëm për të nderuar ata që bënë të mundur Kosovën realitet, shtet të lirë, të pavarur, sovran dhe demokratik.
Kjo ditë na mbush me krenari, respekt dhe reflektim. Sot ne nderojmë kontributin e atyre që, në orët më të vështira, mbajtën të ndezur flakën e shpresës për çlirimin e Kosovës.
Krahas figurës legjendare të komandantit Adem Jashari, Zahir Pajazitit e shumë të tjerëve, po aq krenar jemi edhe për Indrit Carën apo “Ushtar Kavajën”, Tahir Sinanin, Skerdilajd Llagamin dhe shumë dëshmorë të tjerë nga të gjitha trevat e Shqipërisë që dhanë jetën për çlirimin e Kosovës.
Vepra e tyre është e skalitur në kujtesën tonë kombëtare.
Nuk nderojmë sot vetëm individët, por nderojmë edhe vetë shpirtin shqiptar, atë shpirt që nuk dorëzohet kurrë dhe që brezi në brez ka ruajtur amanetin e lirisë.
Shqipëria dhe Kosova janë më shumë se dy shtete, ne jemi një komb, një gjak, një flamur, një histori, të cilat janë të lidhura përjetësisht.
Historia jonë është një histori krenarie.
As pushtimet, as padrejtësitë, as diktaturat, as gjenocidi nuk e thyen kurrë ndërgjegjen tonë kombëtare.
Në vjeshtën e vitit 1991, në Shqipëri, diktatura komuniste po shkërmoqej dhe vendi po orientohej jo pa sfida drejt vlerave Euroatlantike dhe Perëndimit.
Ishin kohë trazirash, pasigurie e ndryshimesh të mëdha.
Pikërisht në atë kohë, disa burra të guximshëm bënë atë që historia ua kërkoi: nisën stërvitjen e grupeve të para të luftëtarëve të lirisë së Kosovës.
Respekt dhe mirënjohje për grupin e ushtarakëve shqiptarë që stërvitën luftëtarët e parë të lirisë me në krye komandantin Adem Jashari!
Ata nuk pyetën për rreziqet, vepruan, sepse ndihma për vëllanë është zgjedhje e natyrshme.
Ata u përgjigjën siç i është përgjigjur gjithmonë Shqipëria Kosovës dhe Kosova Shqipërisë. Asokohe ata u bënë ura mes një ëndrre dhe një realiteti të sotëm.
Sot, përpara tyre, ne përulemi me respekt dhe mirënjohje.
Veprat e tyre nuk janë vetëm histori.
Ato qëndrojnë në themelet e një lirie të fituar me gjak dhe shumë përkushtim.
Shqipëria ka kontribuar dhe do të kontribuojë gjithmonë për Kosovën, sepse kështu na thotë ndërgjegjja jonë kombëtare.
Ndihma për Kosovën është ndihmë për veten tonë, është ndihmë për shqiptarinë, për të ardhmen e përbashkët të fëmijëve tanë.
Sot, ne duhet të qëndrojmë krah për krah, në çdo fushë të jetës: në ekonomi, në siguri, në shkencë, kulturë, teknologji dhe art.
Marrëdhëniet tona i lidh gjaku, i lidh flamuri, i lidh historia, i lidh kombi.
Kosova e pavarur është një realitet që nuk kthehet pas, është një realitet që është fituar me gjak dhe sakrificë.
Liria e Kosovës nuk është vetëm liri për qytetarët e saj. Ajo është garanci për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Historia ka treguar se shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë agresorë, por dashuria jonë për paqe nuk i bën shqiptarët të dobët e të pafuqishëm.
Shqiptarët gjithmonë kanë mbrojtur të drejtën, lirinë dhe vlerat Euroatlantike.
E ardhmja jonë është e përbashkët: nuk ka Shqipëri të fuqishme pa Kosovën e fortë, nuk ka Kosovë të sigurt pa një Shqipëri të qëndrueshme dhe të zhvilluar.
Ne ecim bashkë drejt Evropës, sepse ne jemi evropianë, jo vetëm gjeografikisht, por me shpirt, me kulturë dhe me vlera.
Brezat e rinj shqiptarë sot nuk kanë më kufij në mendjet e tyre.
Ata ëndërrojnë më shumë se ne, ëndërrojnë më gjerë, synojnë më lart, dhe është detyra jonë sot t’u japim mundësi, t’u hapim rrugën, t’u krijojmë mundësitë, t’u sigurojmë që ata të rriten në vendin e tyre, ku sundon ligji, ku sundon demokracia, dhe fjala demokraci nuk është vetëm fjalë, por është mënyrë jetese.
Sot, ne duhet të forcojmë ekonomitë tona, duhet të investojmë në shkencë dhe arsim, të përqafojmë të renë, por pa harruar kulturën dhe identitetin tonë kombëtar.

Shqipëria dhe Kosova nuk mund të mbetet pas.
Në këtë rrugëtim, ne do të ecim bashkë për një komb më të fortë, për një komb që, pas shekujsh përpjekje dhe sakrifice, tashmë i përket historisë evropiane. Ne këtë histori evropiane të jemi aktorë të vërtetë, si një zë i fortë, si një forcë stabiliteti dhe progresi.
Ndërsa dekorojmë ata që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës, nuk po nderojmë vetëm të shkuarën, por i japim një mesazh të qartë të ardhmes: jemi bashkë, do të mbetemi bashkë, do të ecim përpara bashkë.
Historia na ka vënë përpara sfidave të mëdha, por ne kemi ditur gjithmonë të triumfojmë.
Objektivi ynë mbetet i pandryshueshëm: një Shqipëri e Kosovë demokratike dhe moderne, një komb i fortë që njeh zhvillim, integrim dhe prosperitet.
Lavdi atyre që luftuan për liri!
Rroftë Kosova! Rroftë Shqipëria! Rroftë kombi shqiptar!

