Connect with us

Kosova

Presidentja Osmani “lundron” mes Kryeministrit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Presidentja Vjosa Osmani aktualisht është adresa kryesore e ndërkombëtarëve në Kosovë kur është fjala për raportet e vendit me aleatët.  Si e tillë, ajo shkoi në Uashington me ftesë të administratës amerikane, për të marrë pjesë në aktivitete ‘anësore’ të Samitit të NATO’s ku edhe çoi mesazhe për çështjen më të komplikuar në relacionin Kosovë -Perëndim –Asociacionin, teksa tha se është gati ta çojë në Gjykatë Kushtetuese nëse Qeveria e miraton.

Osmani ka zgjedhur të mbajë “mesin e artë” në intervistën e saj të fundit në Zërin e Amerikës dy ditë më parë, e gjendur mes kërkesave të Perëndimit dhe qëndrimeve të Kryeministrit Albin Kurti për Asociacionin.

Amerikanët dhe shtetet kyçe perëndimore po kërkojnë që qeveria ta miratojë propozimin evropian për Asociacionin. Për t’u linjëzuar me ta, Presidentja  flet në favor të dërgimit të draft-statutit në Qeveri për miratim, por për t’u mos u rreshtuar krejtësisht shefja e shtetit nuk gjen fjalë të mira për Asociacionin. Ajo tha se serbët që do ta udhëheqin atë do ta përdorin për t’u fuqizuar vetë sikurse edhe Vuçic për t’i kontrolluar ata.

Me këtë qëndrim, shefja e shtetit llogarit se nuk duhet te vendoset në raporte krejt antagoniste me partnerin e saj politik Albin Kurti me të cilin erdhën në pushtet.

Kur është pyetur për qëndrimin amerikan se është nevojë urgjente riangazhimi në dialog dhe pozicionin e kundërt të Kosovës se s’do të ketë zbatim të marrëveshjes derisa Serbia po e shkelë atë, Osmani ka thënë se s’janë qëndrime të kundërta për nga synimi final.

Sipas presidentes, raporti mes Kosovës dhe SHBA-së s’mund të reduktohet vetëm më atë që ndodh në kuadër të procesit të dialogut me Serbinë dhe ka kërkuar garanci nga aleatët për sigurinë, mbështetjen ndërkombëtare dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, nëse duan që Kosova t’i zbatojë të gjitha detyrimet ndërkombëtare.

Advertisement