Aktualitet
‘Presion qytetarëve për blerjen e votës’, pezullohet nga detyra Inspektori i Policisë në Konispol
Inspektori i Policisë në Konispol Alush Çokalli është pezulluar nga detyra. Lajmi konfirmohet nga burime policore.
Mësohet se ky pezullim i tij nga detyra ka ardhur pas një denoncimi të bërë nga një faqe Konispol Web, e cila shkruan se inspektori i policisë u ka bërë presion qytetarëve për votën.
Në denoncim thuhet se makina e Çokallit është fotografuar para një shtëpie në Konispol, ku iu ka ushtruar presion qytetarëve.
“Polici ose ‘i plotfuqishmi’ i zonës Konispol, zoti Alush Cokalli, edhe pse ligji ja ndalon është përfshirë me mish dhe shpirt ne fushatë duke ju bëre presion qytetarëve në Konispol, që të votojnë PS. Kjo është makina e fotografuar përpara shtëpisë së Petrit Velo. Për arsye se zotëria është paditur ne Prokurori dhe SPAK, nuk mund të publikojmë foto dhe Video, pasi i disponojmë të gjitha provat. POLICIA E SHTETIT Merrni masa për terrorin që bëhet në zonën e Konispolit, nëse një polic bën terror tek qytetari për votën, atëherë kush do ta ruaj rendin? Dhe kush do e ndëshkojë krimin”, thuhet në denoncimin e faqes Konispol Web.
U denoncua se po u bën presion qytetarëve për blerjen e votës, pezullohet nga detyra Inspektori i Policisë në Konispol
Deri në sqarimin e rrethanave, Alush Çokalli do qëndrojë i pezulluar nga detyra.