Connect with us

Kosova

Prishi planet me Vuçiçin, Rama përpiqet të poshtërojë Kurtin/ A ishte ky mesazhi në Kotor?

Para disa ditësh shefat e shtetit e kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Kotor të Malit të Zi. Nga gjashtë vende të këtij rajoni tri prej tyre u përfaqësuan nga kryeministra me kombësi shqiptare, Edi Rama kryeministër i Shqipërisë, Albin Kurti kryeministër i Kosovës, dhe Talat Xhaferi kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Por nga pamjet që u publikuan nga Kotori, ra në sy sjellja aspak e hijshme që Edi Rama kishte ndaj Albin Kurtit, gjë e cila u kritikua ashpër nga opinioni publik.

E në një prononcim profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, tha se Edi Rama edhe njëherë haptas shprehu mospajtimet që ka me Albin Kurtin.

“Kryeministri Rama dhe kryeministri Kurti u shfaqën dukshëm me qëndrime të kundërta dhe me marrëdhënie ftohtësie midis tyre. Një video virale tregoi se si zoti Rama e injoroi prezencën e Kurtit në samit. Ndërsa gjithë pjesëmarrësit e tjerë, përfshirë dhe ndihmës sekretarin e Shtetit Amerikan, O’Brien, ngrihen në respekt të kryeministrit të Kosovës dhe bisedojnë me të njerëzisht, Edi Rama i jep ulur dorën homologut të tij nga Kosova. Ishte injorim total. Ishte një ndjenjë dhe shenjë se Rama nuk pajtohet me Kurtin. Ishte një demonstrim pakënaqësie për qëndrimet e Kurtit në mbrojtje të Kosovës dhe sovranitetit të saj” – ka deklaruar Bytyci

Sipas tij, afrimiteti i Ramës me Vuçiçin ishte dukshëm ndryshe.

“Miqësor, në përqafim të përhershëm. Te kënaqur dhe madje entuziast të dy bashkë. Është e vërtetë se Kurti nuk i është përgjigjur sjelljeve dhe qëndrimeve të Edi Ramës për Kosovën. Ai ishte kundër të gjitha nismave Rama-Vuçic. Nuk është pajtuar me kërkesat e kryeministrit të Shqipërisë për të bërë kompromise për asociacionin. Kurti eshte trishtuar për deklaratën e Ramës se “Veriu i Kosovës është tokë e askujt”, menjëherë pas aktit terrorist të Banjskës më 24 shtator 2023” – ka kujtuar analisti politik.

Bytyçi madje tha se Albin Kurti ishte ai që i prishi planet e Vucicit me Ramën dhe se ky I fundit, sic u shpreh ai, “Ka vënë gjithë altoporlantët e medias së tij qe ta paraqesë kryeministrin Kurti si shkaktarin e “përçarjes” së shqiptarëve në Maqedoni. Por aty nuk kishte përçarje. Pjesa pro-Kosovës thjesht iu kundërvu pjesës pro Open Balkan-it serb. Kjo ishte e domosdoshme. Nëse bashkimi bëhet duke i hap rrugë hegjemonisë serbe në rajonin tonë, atëherë ky bashkim nuk është bashkim i shqiptarëve, por bashkimi i shqiptarëve me serbët kundër vetvetes! Këtë kërkon Edi Rama, per te cilin, nëse nuk ndodh kjo, atëherë kundërshtarët e tij konsiderohen përçarës”.

Advertisement

TRENDING