Kosova
Prit gomar të mbijë bar/ Escobar përplaset me Konjufcën
Brukseli sërish do të jetë vendtakimi i liderëve të Kosovës e Serbisë më 2 maj. Pas marrëveshjes dhe dakordimit për aneksin e saj, ndërmjetësit tashmë presin hapa konkretë nga palët në vënien në zbatim të pikave të marrëveshjes. Detyra e Kosovës në këtë takim është të shkojë me propozim për statutin e Asociacionit.
Emisari special i SHBA’së, Gabriel Escobar, tha se presin që në këtë takim të ketë propozime iniciale për formimin e Asociacionit.
“Kjo do të thotë se të gjitha palët duhet të vijnë të përgatitura”, ka thënë emisari amerikan për mediumin serb “Tanjug”.
Më 2 maj në tavolinën negociuese do të dorëzohet një draft për statutin e Asociacionit nga Kosova, por deri tani nuk dihet asgjë për të dhe as për ekipin që do të bëjë prezantimin.
Përbërja e Ekipit Menaxhues nuk është bërë publike deri më tani, përveçse dihet që në krye të tij është një deputete e Kuvendit të Serbisë. Ky ekip, anëtarët e të cilit janë ndërruar ndër vite, pati bërë njëherë një propozim, por që u hodh poshtë.
Në rast se edhe kësaj here ndodh e njëjta, shkarkimin e ketij ekipi e ka paralajmëruar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Nuk e përjashtoj se nuk do të funksionojë, duke e parë përbërjen e këtij menaxhmenti, i cili përbëhet edhe nga deputetë të Serbisë. Kjo është e papranueshme për Kosovën. Unë mendoj nëse ky ekip ofron një draft i cili është sipas interesave të Serbisë, do jetë e udhës për Kosovën që të shkarkohet ”, ka thënë Konjufca
Kreu i Kuvendit pati edhe një koment mbi deklaratën e emisarit amerikan që kërkoi nga Kosova propozim konkret për Asociacionin. Sipas Konjufcës, marrëveshja e fundit Kosovë-Serbi është ndërtuar mbi dy binarë.
“Binari i parë është njohja de facto nga ana e Serbisë, ndërsa binari i dytë është Asociacioni, të cilin Kosova – qeveritë e mëparshme dhe një mazhorancë e mëparshme – në vitin 2013 e ka pranuar. Kosova duhet të tregojë që nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet të bëjë asgjë pa u realizuar binari i parë, që është njoha de facto”.
Escobar në deklarimin e tij për Zërin e Amerikës tha se pranimi i Asociacionit ishte e vështirë për Qeverinë e partinë e Kurtit, por se tashmë ai është pranuar.