Aktualitet
Procesi ndaj krerëve të UÇK në Hagë/ Ish prokurori: E kanë fituar gjyqin
Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari, i ftuar në një emision televiziv, ka folur mes të tjerash edhe në lidhje me procesin gjyqësor kundër krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ai ka deklaruar se gjithçka ka qenë një përpjekje e Moskës dhe Beogradit për të njollosur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe krerët e saj, ndërsa ka shtuar se në nëntor mbushen plot 3 vite që krerët e UÇK janë në paraburgim, e për pasojë duhet të gjykohen në gjendje të lirë.
Hajdari ka shtuar se e sheh me dyshim edhe sjelljen e politikanëve shqiptarë në rajon mbi çështjen, aq më tepër të udhëheqësve në Kosovë të cilët nuk bëjnë deklarata në kërkim të një procesi të rregullt për ta, një qëndrim që e “justifikoi” me luftën politike.
“Procesi është i qartë jo vetëm për juristët por edhe për politikanët. Në Hagë jemi viktimë e një kombinacioni të madh të udhëhequr nga Moska në bashkëpunim të fortë me Beogradin.
Ka nisur me Dik Martyn dhe Carla del Ponte, me Shtëpinë e Verdhë që bënte transplant në malet e Matit, një budallallëk me okë.
Kam qenë në Prokurori në atë kohë kemi kryer hetime dhe nuk ka rezultuar asgjë.
Tani ka të dhëna pa fund, që me goditjen e kreut të UÇK, Serbia që është një shtet që punon për historinë, kërkon të njollosë UÇK dhe luftën.
Në nëntor mbushet afati 3 vjeçar në paraburgim dhe parashikohet që më shumë se 3 vite nuk mund të mbahesh në paraburgim pa një vendim të formës së prerë. Shpresojmë që të krijohen kushtet që të gjykohen në gjendje të lirë.
Politikanët shqiptarë në rajon, sidomos të Kosovës po luajnë me hile, sepse nuk kemi asnjë prononcimi të Kurtit apo Osmanit, për një proces të rregullt gjyqësor. Që është minimumi që mund të bëhet.
Ata që janë në Hagë edhe nëse deklarohen apo jo fajtorë, ata kanë fituar gjyqin, kanë bërë Kosovën të pavarur dhe kanë udhëhequr një luftë të ndihmuar nga ndërkombëtarët”, ka deklaruar zoti Hajdari.