Bota
Prodhonte sistemin e mbrojtjes ajrore Iris-T për Ukrainën, shpërthen fabrika në Berlin
Një zjarr i fuqishëm shpërtheu këtë të premte, më 3 maj, në një fabrikë të kompanisë industriale Diehl Metal, raporton gazeta gjermane Bild. Katastrofa mobilizoi të paktën 170 zjarrfikës në një zonë industriale të vendosur në perëndim të kryeqytetit gjerman, rruga Am Stichkanal në distriktin Berlin-Lichtefelde. Në një video të postuar nga kryeredaktori i Berliner Zeitung, Tomasz Kurianowicz, shihet ndërtesa e përfshirë nga flakët dhe tymi i zi në ajër.
Era, e cila fryn në drejtim të veriut, bën që shtëllungat e tymit të zi të ngrihen mbi rajonin e Berlinit. Tymi mund të përmbajë, sipas zëdhënësit të zjarrfikësve të Berlinit, Adrian Wanzel, të cituar nga Bild, acid sulfurik dhe cianid hidrogjeni që ishin ruajtur në këtë fabrikë të përpunimit të metaleve, duke përfshirë ndërtesën 2000 m², e cila u dogj në të paktën katër kate dhe u shemb.
Zjarrfikësit ndërhyjnë nga jashtë, me kostume mbrojtëse specifike, shtoi ai. Vendi është evakuuar plotësisht dhe ende nuk raportohet për të lënduar në mesin e punonjësve të fabrikës.
Megjithatë, një zjarrfikës ka pësuar shqetësime për shkak të nxehtësisë së madhe të shkaktuar nga zjarri. Popullsia e Berlinit u alarmua në fund të mëngjesit për përhapjen e një reje tymi potencialisht toksike dhe për këtë arsye të rrezikshme, dhe një zonë të madhe afër Berlinit iu kërkua të kufizohej dhe të mbyllte dritaret. Rrethet e prekura janë Steglitz-Zehlendorf, Spandau dhe në perëndim të Reinickendorf.
Zjarrfikësit e Berlinit postuan një hartë në Twitter ku tregon zonën në të cilën ky tym ka të ngjarë të përhapet, shoqëruar me udhëzime sigurie drejtuar popullatës. Sipas televizionit gjerman RBB, zjarri ka rënë në një dhomë teknike në katin e parë të kantierit. Nxënësit nga shkollat aty pranë u mbyllën brenda, duke pritur që familjet e tyre të vinin t’i merrnin.
Prodhuesi i sistemit IRIS-T furnizon Ukrainën
Diehl Metal ka selinë në këtë adresë, por aty ka edhe një degë të Diehl Defense, specifikon Berliner Zeitung. Ky konglomerat gjerman ka disa degë, duke përfshirë një të dedikuar për industrinë e armëve. Ai prodhon veçanërisht sistemin e mbrojtjes kundërajrore IRIS-T SLM, e cilësuar si zemra e të menduarit strategjik të vendeve të NATO-s në Evropë, dhe të cilin Gjermania ia dorëzon ushtrisë ukrainase për t’u mbrojtur kundër sulmeve ruse. Sipas faqes së specializuar të informacionit Oryx, Gjermania ka dorëzuar tashmë 12 sisteme raketash tokë-ajër IRIS-T SLM në Ukrainë që nga tetori 2022, dhe 22 raketahedhës. Prandaj, ky sistem mbrojtës është një nga ata që janë furnizuar në sasitë më të mëdha nga aleatët perëndimorë të Kievit.
Këto bateri raketore janë gjithashtu në qendër të projektit evropian të mbrojtjes kundër raketave, i quajtur European Sky Shield, i udhëhequr nga Gjermania dhe në të cilin marrin pjesë 19 vende, duke krijuar një bazë për blerjen e përbashkët publike të sistemeve të mbrojtjes kundërajrore për partnerët evropianë. Dhjetorin e kaluar, raporton agjencia Euractiv, Sllovenia bleu dy sisteme IRIS-T SLM, për një shumë prej të paktën 200 milionë euro, sipas të përditshmes sllovene Delo.