Kosova
Profesori vjen me deklaratë të fortë për draftin e Asociacionit – Paralajmëron këtë gjë
Draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë një nga temat më të diskutuara kohëve të fundit. Fakti se po mbahet i fshehtë, ka nxitur edhe reagime të shumta, nga të cilat kanë rrjedhur hipoteza të ndryshme mbi atë se çfarë mund të përmbajë ai. Për këtë çështje, ka folur edhe profesori Sadri Ramabaja.
Së pari, ai tha se draft-statuti nuk është më sekret, dhe se Asociacioni po i imponohet Kosovës për shkak të marrëveshjeve të periudhës 2013-2015.
“Draft statuti i Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, që po emërtohet me emrin Asociacion, tashmë nuk është sekret. Një pjesë e opozitës sonë, ajo më e guximshmja natyrisht, ka gjetur rrugën që ta publikojë. Tashmë ai është pjesë e diskutimit publik. Asociacioni, qoftë edhe i tillë si po i imponohet Kosovës, e dëmton statusin unitar të Republikës. Por, atë duhet ta trajtojmë ashtu si është: produkt i iluzioneve të partnerëve tanë në raport me të ardhmen e serbëve në Kosovës dhe rezultat i marrëveshjeve paraprake” – deklaroi Ramabaja
Krahas kësaj, ai potencoi faktin se ruajtja e funksionalitetit të Republikës varet shumë edhe nga qeveritë që do ta drejtojnë vendin, kurse përsa i përket mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje finale mes Kosovës dhe Serbisë, ai vlerësoi se kjo gjë varet nga presioni i Perëndimit.
“Kjo varet nga shkalla e presionit që do të ushtrojnë Perëndimi në javët e muajt në vijim. Por, një gjë tashmë është e qartë, me ndërhyrjen e Francës, projekti franko-gjerman, tashmë si akti i vetëm i akceptuar nga të gjithë anëtarët e BE-së dhe i mbështetur edhe nga ShBA-ja dhe Britania e Madhe, nuk është as për së afërmi marrëveshje finale.
Sidoqoftë, si i tillë, ai i hap rrugë Kosovës për njohje nga pesëshja e vendeve të BE-së dhe katërshja e NATO-s, që për ne më e rëndësishme është kjo e fundit, në mënyrë që Republika jonë të ecë me procedura të përshpejtuara drejt aderimit në atë organizatë. Por, marrëveshja e Brukselit, siç është pohuar me të drejtë edhe nga diplomatët dhe studiuesit perëndimorë, garanton sovranitetin e Republikës dhe i jep fund iluzioneve të Serbisë për kthim në Kosovë” – ka theksuar professor Ramabaja.