Connect with us

Shkrime

“Profeti” Adriatik Lapaj, që do “shpëtojë” Shqipërinë

Nga Edmond Arizaj

Për lëvizjen e Adriatik Lapajt! Ju ka mbetur diçka në mendje nga fjalët e Adriatik Lapajt? Tiku, krijo mesazhe të forta, për pak problematika. Vetëm Zoti i zgjidh të gjitha. A e dini cila është skuadra e Adriatik Lapajt? Tiku, largoju shembullit të profetit. Dalja i vetëm në prezantim ishte disi gabim. Shqipëria ka pasur (dhe e ka) profetët që “vetëm ata e bëjnë vendin”. Një më shumë, s’bën ndryshim. A i patë këpucët e Adriatik Lapajt? Tiku, është metaforrë gjithsesi, por këpucët e tua duhet të ishin të grisura dhe me baltë. Sa njerëz ke takuar fshatrave, qyteteve, lëndinave, ugareve? Po dole në mbrojtje të njerëzve, duhet t’u njohësh edhe timbrin e zërit, edhe ngjyrën e syve, edhe shtrëngimin e dorës. E pyetët veten cila Shqipëri bëhet sipas Adriatik Lapajt? Sepse amaneti, dëshira dhe optimizmi i rilindasve shqiptarë me “Shqipëria do të bëhet”, ka qenë jo kjo Shqipëri, por ajo bashkë me Kosovën, Çamërinë, e gjithë trojet e tjera. Nëse emri i lëvizjes së Tikut është thjesht kundrapedal i pesimizmit kaq vjeçar “Shqipëria nuk bëhet”, po ndërrojmë “venë me ve” siç thonë shkodranët. Mos ju duket se rruga që po përshkruan Adriatik Lapaj është rrahur dhe më parë? Tiku, je herët, mundohu të hapësh rrugë të reja, mënyra të reja, mjete të reja, njerëz të rinj. Ke kohë, ke mundësi, ke mbështetje, ka dëshirë nga njerëzit. Nuk ju duket se Adriatik Lapaj po flet pak si shpejt për zgjedhjet? Tiku, nuk pret dot?! A vallë e dëshiron pushtetin kaq herët?! Gjithë të tjerët më parë, kanë pasur të njëjtin problem dhe janë përballur menjëherë me murin e mosbesimit të votuesit, apo me çizmen e rëndë zgjedhore të partive tradicionale. Kjo është e vërteta. Nxitimi për t’u përplasur me ta, mund të sjellë demoralizim në rastin më të mirë, sepse rasti më i keq është të të joshin dhe pastaj të të lënë në baltë. Ka ndodhur dhe kjo. Megjithëse humbësi më i madh në këtë rast ka qenë besimi i njerëzve. Nuk ju duket çudi që pavarësisht mediatizimit të Adriatik Lapajt dhe lëvizjes së tij, paralajmërimit prej muajsh të lëvizjes, nga politika e politikanë tradicionalë nuk ka fare reagim? Tiku, si do i bindësh skeptikët se ti nuk je një lëvizje që e lëviz dikush tjetër? Nëse ke ndonjë skelet diku në dollap, sirtar, a poshtë karriges nxirre tani, sa më shpejt dhe sqaroje. Pastaj vijo i pastër. Kur partitë tradicionale nuhasin sadapok rrezik, reagojnë. Kujto studentët pak vite më parë. Ah sa lëvizje e bukur ishte! I dini synimet e Adriatik Lapajt? Tiku, të paktën tre synime të bëheshin publike. Njerëzit duan të dinë kë po ndjekin, kë po përkrahin, pse. Opozitarizmi, patetizmi dhe populizmi janë të lehtë, të bukur dhe tërheqin vëmendje, të japësh alternativë është sfida. Nejse, çdo gjë e re ka kuriozitet. Nuk duket ndonjë flakë e madhe, krahasuar me elokuencën opozitariste të Blushit, me patetizmin nacionalist të Spahiut, apo me gjithë lëvizjet e partitë krijuar ndër vite, pa mundur të kalojnë asnjëherë 3 përqindëshin në zgjedhjet e para. Por të shohim, as Tiku vetë s’besoj se shpreson të vijë në pushtet në 2025, por nëse arrin gjatë kësaj kohe të imponojë ndonjë gjë në vendimet e politikës, është në rrugë të mbarë.

Advertisement