Connect with us

Shkrime

Propaganda Antisemite/ Mos e lini George Sorosin të qeshë i fundit

Nga Ignazio Veca

Narrativa kundër milionerit hungarez u krijua me mjeshtëri nga një hebre që ka qene konsulent zgjedhor për Reganin, Trumpin dhe Netanjahun

Armiku ideal nuk reagon ndaj sulmeve. Mund ta shënjestrosh vazhdimisht pa pasur frikë nga hakmarrja, sepse ai e gjen veten në situatën e pafat të dikujt që do t’i përforconte sulmet nëse ai do të përgjigjej: çdo mohim rrezikon të jetë një legjitimim i shpifjes. Edhe pse shpesh nuk janë të vetëdijshëm për këtë, ata që lëshojnë akuza të rreme në hapësirën publike kanë tendencë ta shkaktojnë këtë kurth të përsosur. Ata që orkestruan fushatën kundër George Sorosit një dekadë më parë e dinin shumë mirë se çfarë po bënin: ishte puna e tyre. Në korrik 2017, postera me fytyrën e Sorosit u shfaqën në muret hungareze të shoqëruara me frazën e mëposhtme: “Mos e lini Sorosin të qeshë i fundit!” Ishte kulmi i një ofensive mediatike që kishte filluar katër vjet më parë.

Deri atëherë, George Soros kishte qenë një financier i pasur i cili kishte gëzuar famë të veçantë kur në vitin 1992 fitoi një miliard dollarë në një natë të vetme falë një operacioni spekulativ mbi paundin britanik. Për këtë arsye, ai ishte parë nga shumë si një parazit, por më pas kishte shfrytëzuar vëmendjen dhe fitimet e akumuluara në një jetë si biznesmen për të përhapur ide progresive në të gjithë botën, duke dhuruar një pjesë të mirë të pasurisë së tij në Fondacionet e Shoqërisë së Hapur, një rrjet privat grupesh joqeveritare të themeluara prej tij për të promovuar projekte barazie dhe drejtësie.

Si filantrop dhe patron, Soros e kishte favorizuar shumë vendin e tij të origjinës, Hungarinë, me ndihmë të konsiderueshme ekonomike, dhe kishte kontribuar në krijimin e Universitetit të Evropës Qendrore (CEU) në Budapest. Megjithatë, sot, CEU është detyruar të zhvendoset në Vjenë, ndërsa zyrat e fondacionit janë zhvendosur në Berlin. E gjitha kjo sepse Soros u caktua si armiku publik numër një i regjimit neonacionalist të Viktor Orbán, duke marrë rolin e kukulltarit të madh të kapitalit të huaj që komploton kundër Hungarisë së vogël. Miliarderi filantrop u bë një figurë e urryer që u shfrytëzua shpejt nga politikanët në të gjithë botën, duke u bërë gogoli i së djathtës evropiane dhe globale.

Nga një pikë e caktuar e tutje, kjo kryevepër e propagandës eci mbi këmbët e veta mediatike, duke shfrytëzuar internetin dhe frustrimet e përhapura në opinionin publik në të gjithë botën. Megjithatë, ajo u konceptua nga një njeri që ndante vetëm një gjë me Sorosin: të qenit hebre. Emri i tij ishte Arthur Jay Finkelstein dhe ai ishte një anketues, një konsulent që zhvillon taktika dhe strategji opinioni për klientët e tij. Ai kishte qenë konsulent zgjedhor i shumë politikanëve të krahut të djathtë, nga Ronald Reagan te Donald Trump, duke kaluar nëpër Benjamin Netanyahu, duke ndjekur gjithmonë të njëjtën metodë fituese: duke sulmuar kundërshtarin në vend që të mbronte programin e vet; në vend që të mendonin për fitimin e votave, kandidatët duhej ta bënin sfiduesin e tyre të humbiste vota, duke polarizuar elektoratin.

Në këtë strategji të marketingut politik – e cila në zhargon quhet fushatë negative dhe të cilën Finkelstein e riemërtoi votim refuzues – ndërtimi i kundërshtarit është qendror, është aty ku investohen energjitë për të shkatërruar besimin e votuesve. Kur e gjeti veten pa kundërshtarë politikë pas fitores dërrmuese zgjedhore të vitit 2010, Orbán iu drejtua Finkelstein për të kërkuar një shënjestër të re. Dhe e gjeti atë. Soros ishte kundërshtari i përsosur: i pasur, i vjetër, hungarez dhe mbi të gjitha jashtë lojës politike kombëtare; ai ishte armiku që duhej goditur pa pasur nevojë të përballesh me të.

Operacioni ishte aq i suksesshëm saqë rrëfimi rreth manjatit që drejtonte kërcënimin kundër atdheut që duhej mbrojtur është bërë një produkt që krijon kërkesën e vet, i disponueshëm për të gjithë të djathtën globale. Shpikja i ka shpëtuar shpikësit të saj, i cili më pas ka ndërruar jetë. Siç e përmblodhi autori i një hetimi mjeshtëror gazetaresk mbi fenomenin: “Anti-Soros është një armë me burim të hapur, e lirë, e globalizuar dhe e adaptueshme”.

Me sa duket, për Finkelstein e gjithë kjo ishte thjesht punë. Bëhej fjalë për shitjen e një produkti ideologjik për të kënaqur klientin e momentit: biznesi është biznes. Por publiku e plotësoi historinë, duke e ushqyer atë me një stereotip më të vjetër: atë të hebreut të lig dhe lakmitar që dëshiron të dominojë botën.

Rezultati tragjik i fushatës ishte se puna e një hebreu amerikan ka favorizuar mbivendosjen e një përfaqësimi klasik të antisemitizmit bashkëkohor mbi figurën e hebreut George Soros. Paradokset e së tashmes kështu vënë në pikëpyetje të kaluarën, duke hedhur një eksperiment natyror me qartësi të rrallë përballë bashkëkohësve.

Në fenomenologjinë e gjerë dhe konfuze të akuzave për konspiracion që qarkullojnë në kohën e tashme, për një herë mund të shohim pa shumë mbulesa aktorët dhe proceset, prodhimin dhe pritjen e një historie konspiracioni. Miti i Sorosit është një falsifikim i ndërtuar në një tavolinë, megjithatë ai kontribuon në formësimin e botës mendore të shumë burrave dhe grave, të cilët e hasin atë në postera, në fjalimet e politikanëve profesionistë, në detin e madh të lëruar nga algoritmet e rrjetit. Dhe ata e besojnë atë pavarësisht gjithçkaje.

Marrë nga “Fjalimi i Rabinit” nga Ignazio Veca

Advertisement