Bota
Propozimi i ri i Zelenskyy-t për bisedime me Rusinë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se vendi i tij i kishte propozuar Rusisë që një raund i ri negociatash të mbahej javën e ardhshme. Në fjalimin e tij të përditshëm në mbrëmje drejtuar ukrainasve, Zelenskyy tha se Sekretari i Këshillit të Sigurisë së Ukrainës, Rustem Umerov, “propozoi një takim të ri me palën ruse javën e ardhshme”.
Data nuk është caktuar ende.
“Negociatat duhet të intensifikohen dhe duhet bërë gjithçka për të arritur një armëpushim,”- shtoi presidenti ukrainas, duke u deklaruar i gatshëm të flasë përsëri drejtpërdrejt me homologun e tij rus, Vladimir Putin.
“Një takim në nivelin më të lartë është i nevojshëm për të siguruar vërtet paqen,”-shtoi ai.
Të dyja palët u takuan për herë të fundit në qershor, por pa asnjë rezultat. Në atë kohë, Rusia kërkoi përsëri që Ukraina të lëshonte katër provinca lindore dhe të hiqte dorë nga e gjithë ndihma ushtarake nga Perëndimi. Kievi hodhi poshtë të ashtuquajturat “ultimatume” dhe vuri në dyshim gatishmërinë e Moskës për të negociuar një armëpushim.
Megjithatë, në fillim të korrikut, Kremlini deklaroi gatishmërinë e tij për të vazhduar negociatat me Ukrainën, pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi të vendoste sanksione ndaj Rusisë dhe partnerëve të saj tregtarë nëse paqja nuk arrihej brenda 50 ditëve dhe në të njëjtën kohë njoftoi se dërgesat e armëve në Kiev nga Amerika do të vazhdonin, por kësaj here të financuara nga NATO.
Rezultati i vetëm i dy takimeve të njëpasnjëshme të mbajtura në Stamboll midis delegacioneve ruse dhe ukrainase ishte marrëveshja për shkëmbimin e të burgosurve dhe të rënëve.

