Bota
Propozimi për tu dhënë fëmijëve mbiemrin e nënës ndez debat të zjarrtë në Itali

Një politikan italian ka propozuar një ligj që do ta bënte automatikisht vendosjen e mbiemrit të nënës së foshnjave që në lindje.
Një hap ky, sipas medias britanike The Guardian, që do të shënonte një ndarje me një traditë shekullore dhe që ka ndezur një debat të zjarrtë.
Dario Franceschini, një ish-ministër i Kulturës nga Partia Demokratike e qendrës së majtë, ka argumentuar se një legjislacion i tillë do të “ndreqte një gabim historik”.
Propozimi vjen pas një vendimi të vitit 2022 nga Gjykata Kushtetuese, e cila përcaktoi praktikën e të porsalindurve që marrin automatikisht mbiemrin e babait të tyre si “diskriminuese dhe e dëmshme për identitetin e fëmijës”.
Gjykata tha se fëmijëve duhet t’u jepen mbiemrat e të dy prindërve sipas renditjes që ata vendosin, përveç nëse bien dakord që fëmijët e tyre të marrin vetëm njërin prej tyre. Nëse do të kishte pavendosmëri ose mosmarrëveshje, ka shtuar, gjyqtari do të thoshte fjalën e fundit. Legjislacioni i ri i miratuar nga parlamenti kërkohej për të zbatuar vendimin, i bërë gjashtë muaj përpara se koalicioni i djathtë i Giorgia Meloni-t të vinte në pushtet.
Tema u harrua në parlament përpara se të ringjallej nga Franceschini, i cili argumenton se në vend që të krijohen “probleme të pafundme” me mbiemrat nga të dy, apo të zgjidhet midis mbiemrit të nënës ose babait, duhet të vendoset një ligj që të përdoret vetëm mbiemri i nënës.
“Është një gjë e thjeshtë dhe gjithashtu kompensim për një padrejtësi shekullore që ka pasur jo vetëm një vlerë simbolike, por ka qenë një burim kulturor dhe social i pabarazisë gjinore”, ka shtuar Franceschini.
Ashtu si në shumë vende, fëmijët e lindur në Itali regjistrohen automatikisht me mbiemrin e babait të tyre, ku mbiemri i nënës zakonisht lejohet vetëm nëse babai mungon në jetën e fëmijës.
Franceschini ka thënë se do të paraqesë projektligjin në ditët në vijim, duke zemëruar anëtarët e koalicionit të Meloni-t.

