Connect with us

Kosova

Protesta në Beograd/ Eksperti i Ballkanit jep mesazhin e fortë

Profesori i Universitetit të Gracit dhe eksperti për Ballkanin, Florian Biber, tha se demonstrimi i marrëdhënieve të ngushta mes autoriteteve serbe dhe Rusisë në lidhje me zgjedhjet është një mesazh për përdorim të jashtëm, jo të brendshëm.

“Perëndimit i thuhet – nëse nuk na përkrahni më dhe nëse kërkoni shumë që të hetohen parregullsitë në procesin zgjedhor, ne kemi një partner tjetër, Rusinë, dhe mund të mos i shesim më armë Ukrainës”. Kjo do të thotë se unë nuk pres që Serbia të marrë mbështetje serioze në aspektin e sigurisë nga Rusia, por sinjali po i dërgohet Perëndimit që të mos hetojë shumë për gjërat në Serbi” – tha Bieber për Zërin e Amerikës.

Ai kujton se këto nuk janë parregullsitë e para të regjistruara në zgjedhjet në Serbi në dekadën e fundit, por se është hera e parë që Perëndimi fokusohet në të dhe tregon se ka një problem, sepse Perëndimi po e kalon topin për hetimin e parregullsive në institucionet në Serbi.

Ata e bëjnë këtë edhe pse e dinë se institucionet në Serbi nuk janë të pavarura dhe nuk janë në gjendje te hetojnë. Duhet të ketë një proces që të përfshijë opozitën, organet e pavarura dhe organizatat joqeveritare. Mendoj se deklaratat e autoriteteve serbe janë përpjekje për të parandaluar këtë lloj ndërhyrjeje” – ka thënë Biber.

Ai gjithashtu beson se një hetim ndërkombëtar i pavarur, i cili mund të udhëhiqet nga një organ i BE-së, do të ishte mënyra më e mirë për të dalë nga kriza paszgjedhore, dhe theksoi se do të ishte më mirë nëse do të vinte me sugjerimin e BE-së dhe SHBA-së.

Pyetja, megjithatë, është nëse kjo do të ndodhë, beson Bieber, sepse mesazhet që vijnë nga Uashingtoni për hetimin e parregullsive zgjedhore nuk janë aq të forta sa mund të ishin.

“Mendoj se është e qartë se ka një farë dinamike gjeopolitike që e pengon SHBA-në të flasë qartë dhe me zë të lartë kundër vjedhjes së zgjedhjeve dhe kjo, për fat të keq, gjithashtu pengon një pozicion më të qartë dhe më të unifikuar të BE-së dhe SHBA-së.

Megjithatë, pres që ata të shohin se marrëdhëniet e mira me Serbinë nuk mund të ndërtohen me këtë lloj regjimi dhe vjedhje zgjedhore, por ne ende duhet të shohim nëse SHBA është e gatshme ta bëjë këtë”, tha Biber.

Sipas tij, pavarësisht se çfarë ndodh, Perëndimi nuk do të mund të injorojë atë që po ndodh në Beograd nëse opozita dhe qytetarët janë këmbëngulës dhe jo të dhunshëm në kërkesat e tyre për përsëritjen e zgjedhjeve.

Advertisement