Rajon
Protesta në Serbi, Bassuener: Politika e SHBA-ve në rajon ka qenë katastrofike
Kurt Bassuener, ekspert nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit (DPC) dhe njohëz i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, ka konsideruar se politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon ka qenë katastrofike, duke iu referuar shpërthimit të dhunës gjatë protestave masive të opozitës në Serbi.
Ai gjithashtu ka reaguar ndaj deklaratës së ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili citohet të ketë thënë se “zgjedhjet janë një stres test për demokracinë”, duke iu referuar zgjedhjeve të jashtëzakonshme të Serbisë të mbajtura më 17 dhjetor të këtij viti.
Eksperti ka vlerësuar se rikonfigurimi i stafit diplomatik amerikan në rajon është i domosdoshëm.
“Duke pasur parasysh ngjarjet e dy diteve të fundit në Beograd, deklarata e ambasadorit Hill disa ditë më parë duket edhe më e neveritshme se sa ishte fillimisht. Shpresoj me siguri që Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, po rimendon politikën dhe gjendjen në terren, përfshirë personelin diplomatic në rajon, sepse deri tani ka qenë katastrofikë”, – ka shkruar Bassuener.
Dy protesta të opozitës së bashkuar rreth koalicionit “Serbia kundër dhunës” janë zhvilluar para ndërtesës së Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (RIK) në kryeqytetin serb dhe para Parlamentit, teksa qindra protestues kanë tentuar të futen brenda Asamblesë Komunale të Beogradit, duke thyer xhamat e dyerve dhe dritareve në shenjë revolte, duke nxitur reagimin e autoriteteve.
Policia ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të protestuesve, ndërsa janë arrestuar edhe mbi 35 protestues e janë lënduar disa të tjerë, kërkesa e të cilëve është anulimi i zgjedhjeve dhe shpallja e një cikli të ri zgjedhor për shkak të parregullsive të raportuara gjatë procesit të votimit, veçanërisht në kryeqytetin serb