Politike
RAMA E BERISHA DUAN PAK DESTABILITET
Partia Demokratike do të zbresë më 28 shkurt në shesh në kuadër të protestës së radhës kombëtare, ku nuk kanë munguar tensionet dhe hedhjet e molotovit. Duke diskutuar mbi këto protesta, analisti Lorenc Vangjeli tha se si Edi Rama ashtu edhe Sali Berisha kanë nevojë për një nivel të caktuar destabiliteti në vend.
Sipas tij, Berishës i duhet destabiliteti për t’u faktorizuar, ndërsa Ramës i intereson një destabilitet i kufizuar për t’u paraqitur si “zjarrfikësi” që shuan krizën.
“Rama dhe Berisha kanë nevojë për pak destabilitet të këtij vendi. Berishës i duhet destabiliteti për t’u faktorizuar dhe, në rast përshkallëzimi të situatës, pasi më pas ai është një emër në tavolinë për të diskutuar zgjidhjen e çështjes. Ramës i intereson pak destabilitet për të thënë se jam “zjarrfikësi” për të shuar një gjë të tillë”, tha Vangjeli.
Vangjeli theksoi se, nëse vijon kjo spirale protestash, është detyra e kryeministrit të jetë zgjidhës i krizave.
“Nëse vijon kjo spirale protestash, është detyra e Ramës që të jetë zgjidhës i krizave dhe zgjidhja vjen gjithmonë nga politika. Kjo spirale protestash, nëse vazhdon deri në qershor, ka një faturë tjetër. Nuk vjen dikush nëse shikon molotovin e hedhur në rrugë apo policinë që hedh gaz lotsjellës, dëmton turizmin”, tha Vangjeli.