Connect with us

Bota

Protestat kundër dëbimit të emigrantëve, SHBA vendos qindra marinsa në Los Anxhelos

Ushtria amerikane do të vendosë përkohësisht rreth 700 marinsa në Los Angeles deri sa të mbërrijnë më shumë trupa të Gardës Kombëtare, duke shënuar një tjetër përshkallëzim në reagimin e presidentit Donald Trump ndaj protestave në rrugë për shkak të politikave të tij agresive ndaj emigracionit.

Një zyrtar amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se një batalion do të dërgohej për një mision të përkohshëm deri sa të mbërrinin më shumë trupa të Gardës Kombëtare në terren. Për momentin, administrata Trump nuk ka aktivizuar “Aktin e Kryengritjes”, i cili do t’u lejonte trupave të merrnin pjesë drejtpërdrejt në zbatimin e ligjit civil. Zyrtari shtoi se situata ishte dinamike dhe mund të ndryshonte.

Marinsat amerikanë janë vendosur brenda vendit për raste fatkeqësish të mëdha si Uragani Katrina dhe sulmet e 11 shtatorit 2001. Ata njihen si “të parët që hyjnë dhe të fundit që largohen” në ndërhyrjet ushtarake të SHBA-së jashtë vendit, por është jashtëzakonisht e rrallë që trupat ushtarake të përdoren për çështje policore brenda vendit.

Përdorimi i tyre për qëllime policore ka të ngjarë të nxisë më tej kundërshtimet nga demokratët, të cilët kanë akuzuar Trumpin për përshkallëzimin e panevojshëm të tensioneve në Los Angelos.

Më herët të hënën, Trump tha se do të mbështeste arrestimin e guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, pasi ky i fundit kishte premtuar se do të padiste qeverinë federale për vendosjen e Gardës Kombëtare në Kaliforninë Jugore, duke e cilësuar këtë si një akt të paligjshëm. Ndërsa Los Angeles përballej me një ditë të katërt të mundshme protestash për shkak të bastisjeve imigratore në qytet, demokratët dhe republikanët u përplasën mbi atë që është kthyer në pikën më të nxehtë të përpjekjeve agresive të administratës Trump për të dëbuar migrantët që jetojnë ilegalisht në vend.

Trump urdhëroi vendosjen e Gardës Kombëtare pas protestave në rrugë të premten, të cilat u bënë të dhunshme gjatë fundjavës. Ai tha të hënën se ndiente se nuk kishte zgjedhje tjetër veçse të jepte këtë urdhër për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.

Zyrtarët e Kalifornisë e quajtën vendosjen e trupave një reagim të tepruar ndaj ngjarjeve në terren. Newsom tha të hënën se veprimet e Trumpit ishin “një hap i qartë drejt autoritarizmit.”

“Ne do ta padisim Donald Trumpin,” shkroi Newsom në X. “Kjo është një krizë e stisur. Ai po krijon frikë dhe terror për të marrë nën kontroll një milici shtetërore dhe për të shkelur kushtetutën e SHBA-së.” Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, deklaroi në një njoftim për shtyp se zyra e tij kishte paraqitur një padi. Reuters nuk mundi ta konfirmonte menjëherë depozitimin e padisë.

Ligji federal i lejon presidentit të vendosë Gardën Kombëtare nëse vendi pushtohet, nëse ka “kryengritje ose rrezik për kryengritje”, ose nëse presidenti është “i paaftë të zbatojë ligjet e Shteteve të Bashkuara me forcat e zakonshme.”

Padia e Kalifornisë e akuzon Trumpin për tejkalim të autoritetit të tij sipas këtij ligji dhe i kërkon një gjykate që të shpallë veprimet e tij të paligjshme.

Duke u kthyer në Shtëpinë e Bardhë të hënën pas një nate në Camp David, Trump u pyet nga një gazetar nëse “cari i kufirit” Tom Homan duhej ta arrestonte Newsom. Homan ka kërcënuar më parë se do të arrestojë këdo që pengon përpjekjet për zbatimin e ligjit të imigracionit, përfshirë guvernatorin.

“Po të isha në vendin e Tomit, do ta bëja. Mendoj se është një gjë e shkëlqyer,” u përgjigj Trump. “Gavin e pëlqen publicitetin, por mendoj se do të ishte një veprim i shkëlqyer.”

NË GATISHMËRI

Komanda Veriore e SHBA-së bëri të ditur se 300 pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Kalifornisë janë vendosur në tre pika të zonës së Los Angeles. Departamenti i Sigurisë Kombëtare sqaroi se misioni i Gardës është të mbrojë ndërtesat federale.

Të hënën, oficerë të rendit u pozicionuan në kryqëzime përreth ndërtesës federale Edward R. Roybal, ku ndodhet qendra e ndalimit ku janë transferuar shumë nga emigrantët e arrestuar gjatë aksioneve të ICE në lagjet e Los Angeles.

Disa ushtarë të Gardës Kombëtare qëndronin në hyrjen e automjeteve të qendrës së ndalimit. Ndërkohë, muret dhe dritaret e ndërtesës ishin mbuluar me grafite anti-ICE, dhe ekipe të veçanta po punonin për t’i mbuluar me bojë.

Qindra protestues u mblodhën pranë bashkisë së qytetit të Los Angeles për të marrë pjesë në një tubim në mbështetje të liderit të sindikatës së ndaluar, David Huerta. Ata mbanin pankarta që kërkonin lirimin e Huertës dhe thërrisnin në spanjisht: “Jemi të gjithë David Huerta.”

Trump ka premtuar të dëbojë një numër rekord njerëzish që ndodhen ilegalisht në SHBA dhe të mbyllë kufirin SHBA-Meksikë, duke i vendosur agjencisë së zbatimit të imigracionit (ICE) një objektiv ditor prej të paktën 3,000 arrestimesh.

Për demokratët, të cilët kanë qenë të përçarë dhe pa një udhëheqje të qartë që prej fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të kaluar, protestat në Los Angeles kanë shërbyer si një pikë bashkimi, duke i lejuar ata të rifitojnë terren politik ndërsa kundërshtojnë politikat e administratës./Reuters

Advertisement