Rajon
Protestat në Serbi/ Rusia mbështet Vuçiçin, Kina shfrytëzon korrupsionin

“Protestat e studentëve në Serbi, të cilat vazhdojnë prej muajsh, nuk janë të orkestruara nga grupe të jashtme, por rezultat i një pakënaqësie të thellë ndaj korrupsionit dhe mungesës së shtetit ligjor nën sundimin e Vuçiqit” – keshtu tha politikani liberal serb dhe profesori i Universitetit të Beogradit, Ivan Videnoviç.
Në një intervistë për “The Geopost”, ai theksoi se zbatimi i ligjit është kërkesa kryesore e studentëve që po protestojnë, duke kërkuar përgjegjësinë për shembjen e çatisë së një stacioni treni në Novi Sad, që la të vdekur 15 persona.
Sipas tij, Rusia mbështet qeverinë e Vuçiqit, e cila ende refuzon të përafrohet plotësisht me politikën e jashtme të BE-së. Ndërkohë, ai kritikon Kinën se ka përfituar nga mundësitë e korrupsionit në Serbi, duke fituar prona dhe pasuri përmes marrëveshjeve sekrete dhe jo transparente.
Ai foli edhe për ndikimin e qeverisë aktuale të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, mundësitë e opozitës dhe qëndrimin e Bashkimit Evropian për situatën politike në Serbi.
“Është shumë e qartë se Rusia po e mbështet qeverinë e Vuçiqit. Deri në çfarë mase shkon kjo mbështetje, është e vështirë të thuhet, por për momentin i përshtatet qëndrimit të Vuçiqit, i cili ende po refuzon të akomodohet plotësisht dhe të përafrohet plotësisht me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Kina po shfrytëzon mundësi korruptive për të marrë në mënyrë korruptive disa vende pune, madje disa pronësi, disa pasuri të paluajtshme, disa miniera, disa toka në Serbi, përmes këtyre marrëveshjeve sekrete, që nuk e di, janë miqësore, vëllazërore, kjo e ajo, por në fund të fundit, sigurisht që janë jotransparente”, tha avokati serb.

