Kronike
Protestojnë serbët e veriut të Kosovës
Mijëra serbë në Mitrovicën e Veriut, të mbështetur politikisht nga Lista Serbe, kanë protestuar kundër vendimit të Prishtinës për konvertimin e targave serbe në targa të RKS – Republika e Kosovës.
Protesta u zhvillua një ditë pas vendimit të Listës Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, për largim nga të gjitha institucionet e Kosovës.
Përveç vendimit për targat, krerët e Listës Serbe kanë kërkuar edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ata gjithashtu i janë drejtuar turmës me mesazhin se janë kundër “shkeljes së të drejtave elementare” dhe se nuk do të lejojnë “përzënien nga këto toka”, dhe se “protesta po mbahet për të parandaluar autoritetet e Kosovës që t’i ndajnë nga Serbia”.
Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës dhe që të mos jenë pre “e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike” kurse Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, nga ana tjetër, e ka mbrojtur vendimin e serbëve në Kosovë për dorëheqje masive.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i njëanshëm që mund të rrisë tensionet.
Borell ka thënë se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale.
Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, ka thënë se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të ndërhyrë në rast se rrezikohet stabiliteti.