Kosova
Protestuesit serb: Kurrë kufi, Kosova është Serbi
Disa protestues tashmë janë mbledhur afër pikës kufitare në Jarinjë, në anën e territorit serb.
Policia serbe ka krijuar një kordon në afërsi të kufirit, duke mos lejuar protestuesit që të kalojnë në anën e Kosovës.
Thirrja për protestë është bërë nga grupet djathtiste, siç është “Patrulla Kombëtare”, si dhe është bërë thirrje që organizimit t’i bashkohen mbështetës tjerë nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Srpska e Bosnje-Hercegovinës.
“Patrulla Kombëtare” është organizatë e lidhur me grupin e ekstremit të djathtë “Rusov” dhe grupin paraushtarak rus “Wagner”.
Në protestë janë parë persona të maskuar që në duar mbanin flamuj të Serbisë dhe pankarta të ndryshme, ndër të cilat veçohet ajo me mbishkrimin “Kurrë kufi, Kosova është Serbi”.
Ata në një moment i vënë flakën “Marrëveshjes së Brukselit”, duke e shoqëruar këtë veprim me këngë shoveniste.
Ndërkaq pak metra më tej në pjesën e territorit të Kosovës, KFOR-i ka krijuar një kordon me blinda dhe tela me gjemba duke bllokuar kështu kalimin.