Politike
PS kryeson në 54 bashki, “Bashkë Fitojmë” pritet të fitojë në 7 qytete
Kanë kaluar disa orë nga nisja zyrtare e numërimit të votave për të shpallur kryebashkiakët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 14 majit.
Deri më tani ka përfunduar numërimi për kryebashkiak në Bashkinë e Kamzës, në Elbasan dhe në Vorë ku numërimi është bërë në mënyrë elektronike dhe në të tre këto bashki kanë fituar kandidatët e Partisë Socialiste me një diferencë të konsiderueshme nga kundërshtarët e tyre nga Koalicioni Bashkë Fitojmë.
Ndërkohë “Bashkë Fitojmë”, ka arritur të sigurojë fitoren e parë në Bashkinë e Pukës, ku kandidati i saj Rrok Dodaj ia doli të merrte 3480 vota, ose 58.13%, ndërsa kandidati i Partisë Socialiste Gjon Gjonaj mori 2507, ose 41.87%.
Nga rezultatet paraprake të deri tanishme, duket se Partia Socialiste do të marrë sërish drejtimin e shumicës së bashkive, ku duket se këtë herë do të marrë dhe bashkinë që njihej si bastion i djathtë atë të Shkodrës.
PS ka marrë avantazhin në pjesën më të madhe të bashkive të vendit, edhe pse gara mbetet e hapur në disa prej tyre. Kampi socialist udhëheq në Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër, Tropojë, Kukës, Fier, Dibër, Gjirokastër, Korçë, Kavajë, Bulqizë, Mat, Klos, Kurbin, Vlorë, Delvinë, Permet, Skrapar, Devoll, Pustec, Vau Dejës, Divjaka, Cërrik, Patos, Librazhd, Dimal, Mallakaster, Finiq, Vore,Peqin, Selenice etj.
Ndërsa koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” duket se përveç Pukës udhëheq garën elektorale në 6 bashki të tjera deri më tani, të cilat janë Has ku janë numëruar 21 nga 28 kuti në total dhe kandidati i Bashkë Fitojmë, Miftar Dauti kryeson me 56 % ndaj kundërshtarit të tij Beqir Mulaj me 44 %.
Në Fushë-Arrëz kandidati i BF Hol Curri ka siguruar 60.37 % të votave përkundrejt kundërshtarit të PS Fran Tuci me 39.63%.
në Mirditë janë numëruar 31 nga 48 kutitë e votimit dhe kandidati i BF ka siguruar 54.71 % të votave në krahasim me rivalin që ka 45.29 %.
Në Rrogozhinë deri më tani janë numëruar 45 nga 55 kutitë që janë në total dhe kandidati i Bashkë Fitojmë kryeson me 50.52% të votave ndaj rivality të tij që ka 49.48%.
Në Kuçovë janë numëruar 30 nga 65 kutitë ku kandidati i BF kryeson me 49.55 % të votave ndaj kundërshtareve atij të PS-së me 46.22 % dhe kandidati i PD me 4.23%.
Në Memaliaj kandidati i BF ka siguruar 52.23% të votave përkundrejt kandidatit të PS që ka marrë 47.75 %.