Shkrime
Pse Escobar “vuri në rresht” të gjithë delegacionin shqiptar në SHBA
Nga Ylli Pata
Edhe pse kanë kaluar gati 48 prë nga takimi i të dërgurit special të qeverisë së SHBA për Ballkanin, Gabriel Escobar me delegacionin parlamentar shqiptar, pak ose aspak ka zënë vend në komentet e mediave dhe opinionit.
Në fakt ai ishte një takim që tregoi një zhvillim të rëndësishëm politik, edhe pse jepej në një foto, dhe në një koment të ambasadës amerikane në Tiranë, e cila adresoi në fakt për opinionin kuptimin e atij takimi.
Nëse vihet re, gjatë ditëve që deputetët shqiptarë ndodhen në Uashington për “Mëngjesin e Lutjeve” përfaqësuesit politikë kanë shpërndarë pastime e foto të veçanta mbi takime që kanë zhvilluar kryesisht në Kongresin Amerikan me Senatorë apo Anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve.
“Kënaqësi të shohësh përfaqësues të zgjedhur shqiptarë në Uashington së bashku për të punuar për çështje të rëndësishme për popullin e Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin e fortë me Shqipërinë dhe përfaqësuesit e saj të zgjedhur në çështje të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare. Populli shqiptar meriton një demokraci të fortë, të shëndetshme, ku të gjithë aktorët politikë punojnë së bashku për të mirën e përbashkët të vendit”, thuhet në komentin e ambasadës së SHBA në platformën X.
Ai mesazh i dhënë nga fotoja e komenti i Ambasadës amerikane, është një qëndrim krejt pa ekuivok që tregon refuzimin e skenave të sherrit dhe të dhunës që kanë ndodhur prej kohësh në Parlamentin e Shqipërisë, sapo Sali Berisha është shpallur nën hetim nga SPAK, apo pritej të shpallej nën hetim.
Edhe në Bruksel, në fakt ndodhi e njëjta gjë. Edhe pse pati mjaft përplasje e qëndrime të kundërta nga deputetët shqiptarë gjatë mbledhjes së Komisionit të Jashtëm për Shqipërinë para pak kohësh, në fund, u arrit një qëndrim i përbashkët i delegacionit shqiptar, i nxitur qartësisht nga dy grupimet më të mëdha të BE-së, socialdemokratët dhe PPE.
Pikërisht kjo panoramë, është një sinjal për të treguar një foto krejt të ndryshme me atë të Tiranës, që prodhon tym e bllokadë, që prej hapjes së dosjes së klubit Partizani. Një panoramë, që i drejtohet qartësisht publikut shqiptar, por veçanërisht atij opozitar.
Një qëndrim që ka qenë konsistent që kur Sali Berisha u shpall Non Grata. Por këtë herë, mesazhi ishte më specifik, që të ndalohet tymi e flakadanët nga Parlamenti i Shqipërisë. Ajo vënie në rresht e Ecobarit, do të prodhojë sipas gjasave një tjetër sjellje të opozitës në Kuvend, duke nisur që javën e ardhshme.