Connect with us

Bota

Pse ka rëndësi skadimi i marrëveshjes së Detit të Zi për drithërat?

Një marrëveshje që e lejon Ukrainën të eksportojë drithëra përmes Detit të Zi do të skadojë në fund të ditës së hënë, më 17 korrik, pasi Rusia tha se do ta pezullojë pjesëmarrjen e vet në të.

Ujdia, e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia në korrik të vitit të kaluar, kishte për qëllim ta zbuste krizën globale të ushqimit duke i lejuar drithërat ukrainase, të bllokuara nga konflikti Rusi-Ukrainë, të eksportoheshin në mënyrë të sigurt.

Pse është e rëndësishme?

Ukraina është prodhuese e madhe e grurit dhe farave vajore, dhe ndërprerja e eksportimit të tyre kur shpërtheu lufta nxiti rritjen rekorde të çmimeve të produkteve ushqimore në gjithë botën.

Marrëveshja, që u arrit në korrik 2022 gati pesë muaj pas fillimit të luftës, ndihmoi në uljen e çmimeve dhe zbutjen e krizës globale ushqimore.

Gruri ukrainas po ashtu ka luajtur rol të drejtpërdrejt, me 725.200 tonë, apo 2.2 për qind të furnizimeve të dërguara përmes korridorit të përdorur nga Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara (PBUKB) për ndihmat për vendet si Etiopinë, Somalinë dhe Jemenin.

Çfarë nënkupton kjo për çmimet e produkteve ushqimore?

Çmimet e grurit dhe farave vajore janë rritur tashmë si pasojë e lajmeve se Rusia do ta pezullojë pjesëmarrjen e vet në këtë marrëveshje. Kjo rritje do të bëjë që çmimet do të rriten edhe më shumë për produktet e bazike si, buka dhe pastat, në muajt në vijim.

Gjendja, megjithatë, është më e mirë tani se në muajt pas fillimit të luftës, sepse furnizimet me grurë nga prodhuesit e tjerë si Brazili janë rritur.

Çmimet e grurit, ingredientit kryesor në bukë, kanë rënë për rreth 14 për qind deri tani këtë vit, ndërsa të misrit ka rënë për rreth 23 për qind.

Kriza e tanishme globale ushqimore nuk e ka ndër mend të marrë fund, megjithatë. Programi Botëror i Ushqimit (PBU) tha muajin e kaluar se emergjencat e shumta kanë krijuar krizën më të madhe dhe më të koklavitur humanitare të urisë në 70 vjetët e fundit.

Në vitin 2022, një numër rekord prej 349 milionë njerëzve përjetuan uri akute dhe 772 mijë të tjerë ishin buzë urisë, tha PBU-ja në një raport vjetor.

Si është gjendja e furnizimit global ushqimor?

Stoqet globale të misrit e nisën sezonin 2021/22 me rënien më të madhe në gjashtë vitet e fundit, prandaj pushtimi rus i Ukrainës, njërës prej eksportuesve kryesore të misrit në botë, çoi në një rritje të madhe të çmimeve.

Një rritje e shpejtë e eksportit nga Brazili, megjithatë, ka ndihmuar që prej atëherë në rritjen e furnizimit, bashkë me eksportimin e më shumë se 17 milionë tonëve të misrit përmes korridorit.

Departamenti Amerikan i Agrikulturës (DAA) ka parashikuar se stoqet globale të misrit do ta shënojnë rritjen më të madhe në pesë vjetët e fundit në fund të sezonit 2023/24.

Stoqet globale të grurit janë më të vogla dhe parashihet se do të arrijnë rënien më të madhe në tetë vjetët e fundit në fund të sezonit 2023/24, sipas të të dhënave të DAA-së.

Çfarë do të nënkuptonte kjo për Programin Botëror të Ushqimit?

PBU-ja blen disa miliona tonë mallra ushqimore çdo vit, prej të cilave rreth 75 për qind janë drithëra.

Në vitin 2021, PBU-ja i bleu në përgjithësi 4.4 milionë tonë, me Ukrainën që ishte burimi i saj kryesor, duke ofruar 20 për qind në përgjithësi. Ukraina furnizon kryesisht me miell dhe bizele.

Shumica e produkteve ushqimore shkojnë në Afrikë, si dhe në vende të tjera në Azinë Perëndimore, si Jemeni, prandaj prirjet e PBU-së janë që të shumica e furnizimeve të burojnë nga Evropa lindore, e cila është më afër se prodhuesit e mëdhenj në Amerikën Veriore apo Jugore.

PBU-ja i ka dërguar 725.200 metrikë tonë përmes korridorit. Do t’i duhet të kërkojë diku tjetër, me gjasë me çmim më të lartë kur mungesa e fondeve ta ketë detyruar t’i zvogëlojë aktivitetet në disa vende.

Çka është eksportuar?

Sipas paktit për të krijuar një kanal të sigurt për dërgesa, Ukraina ka qenë në gjendje t’i eksportojë 32.9 milionë tonë mallra bujqësore, përfshirë 16.9 milionë tonë misër dhe 8.9 milionë tonë miell.

Para konfliktit, Ukraina eksportonte përafërsisht 25 deri në 30 tonë misër në vit, kryesisht përmes Detit të Zi, dhe 16 deri në 21 milionë tonë grurë.

Kapaciteti për të dërguar drithëra përmes Detit të Zi në bazë të paktit është kufizuar nga përfshirja e vetëm tri porteve.

Pse po tërhiqet Rusia nga pakti?

Rusia ka thënë tashmë se nuk ka ndonjë arsyeje për ta zgjatur marrëveshjen. Ajo thotë se zotimet për t’i hequr pengesat ndaj mallrave ushqimore ruse dhe eksporteve të plehrave nuk janë përmbushur.

Kërkesat e Moskës përfshijnë rilidhjen e Bankës Bujqësore të Rusisë (Rosselkhozbank) me sistemin e pagesave SWIFT.

Kërkesat e tjera përfshijnë rifillimin e furnizimit me makineri dhe pjesë bujqësore, heqjen e kufizimeve në sigurime dhe risigurime, rifillimin e punës së tubacionit të amoniakut Togliatti-Odesa, dhe zhbllokimin e aseteve dhe llogarive të kompanive ruse të përfshira në eksportin e ushqimit dhe plehrave.

A mund të veprojë korridori pa Rusinë?

Portet e Ukrainës ishin bllokuar derisa u arrit marrëveshje në korrik të vitit të kaluar dhe është e paqartë nëse do të jetë e mundur të dërgohen drithërat tani që Rusia po tërhiqet nga pakti.

Sigurime shtesë premium për rrezikun e luftës, të cilat ndryshojnë kur futesh në zonën e Detit të zi, do të rriteshin dhe pronarët e anijeve mund të ngurrojnë t’i lejojnë anijet e veta të futën në zonë lufte pa marrëveshjen ruse.

Burime brenda industrisë së sigurimeve thonë se mbulimi i shpenzimeve mund të ndryshojë shpejt. Politikat e sigurimeve të rrezikut për luftë duhet të ripërtërihen çdo shtatë ditë për anijet, gjë që kushton mijëra dollarë.

A nevojitet korridori nëse të korrat e Ukrainës zvogëlohen?

Parashikohet se eksporti i drithërave nga Ukraina do të bjerë në sezonin 2023/24, pasi lufta bëri që bujqit të mbjellin më pak misër dhe grurë.

Departamenti Bujqësor i SHBA-së ka parashikuar se eksporti i misrit do të bjerë në 19.5 milionë tonë, nga 28 milionë tonë në vitin paraprak, dhe shumë më poshtë se 30.3 milionë të eksportuara në sezonin 2018/19 kur në total përbenin 17 për qind të tregut global.

Eksporti i grurit pritet të bjerë në 10.5 milionë tonë, nga 16.8 milionë tonë në vitin paraprak, dhe shumë më poshtë se piku prej 21 milionë tonëve në sezonin 2019/20, që përbënte 11 për qind të tregut botëror.

Madje eksportimi i atyre sasive më të vogla të drithërave përmes pjesës lindore të Bashkimit Evropian, do të ishte e vështirë dhe shtrenjtë në pjesën logjistike, posaçërisht të korrat e rritura në rajonet lindore të Ukrainës, sepse përballen me një rrugëtim të gjatë dhe të vështirë për ta arritur kufirin.

A mund të eksportojë Ukraina më shumë drithëra përmes BE-së?

Ukraina është duke eksportuar sasia të madhe të drithërave përmes vendeve lindore të BE-së qëkur filloi konflikti. Por, ka pasur shumë sfida logjistike, përfshirë matës të ndryshëm hekurudhor.

Një çështje tjetër është se fluksi i drithërave ukrainase përmes vendeve lindore të BE-së ka shkaktuar trazira në mesin e bujqve në rajon, të cilët thonë se e ka minuar furnizimin lokal dhe se është blerë nga mullinjtë, duke i lënë ata pa treg për të korrat e tyre.

Si pasojë, BE-ja ua ka mundësuar pesë vendeve – Bullgarisë, Hungarisë, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë – ta ndalojnë shitjen e grurit, misrit dhe farave të lulediellit në vendet e tyre, por ta lejojnë eksportin transit në vendet e tjera. Siç qëndrojnë gjërat, kjo do të ndalet kah mesi i shtatorit.

Të korrat më të mëdha priten në BE-në lindore këtë verë dhe portet e mëdha, si Konstanta në Rumani, pritet të hasin në vështirësi për ta përballuar sasinë e drithërave që ka mundësi ta pranojë, gjë që mund të çojnë në mbingarkesa dhe vonesa në dërgesa.

Advertisement