Shkrime
Pse Lufta e III-të Botërore po ‘flet’, dhe Edi Rama po hesht

Dimë se ka marrë pjesë në një dasëm hebreo-arabike, martesën e miliarderit Alex Soros dhe konsulentes demokrate Huma Abedin. Mund të thuhet se pjesëmarrja e Ramës, dasma vetë, koha e saj, pjesëmarrësit në të, është çka Kryeministri shqiptar mendon për konfliktin hebraiko-iranian. Ramës i duhet të mbajë ison e elitave liberale amerikane dhe globale, pikërisht atyre që popullonin ekskluzivisht dasmën e të birit të George Soros. Nëse për të nuk mund të thuhet se është anti-hebre, mund të konstatohen disa gjëra që kanë të bëjnë me qarin politik që ai nxjerr nga çdo gjë.
Pasë formuar një lidhje të veçantë me Presidentin turk, Erdogan, i cili sheh te Turqia një vijuese të ëndrrës së perandorisë otomane, dhe një aleancë të shenjtë islamike, Ramës i intereson të heshtë, për të mos turbulluar ujra.
Në narrativën e Ramës është vërejtur së fundmi shtimi i referencat kuranike, një përpjekje e qartë për t’u pëlqyer në gjirin e komunitetit më të madh fetar. Rama e di se lufta mes Izraelit dhe Iranit shihet edhe si përballje fetare, apo sidomos si e tillë dhe, duke qenë se në Shqipëri ka muslimanë, por jo hebrej, do të luajë në zonën e sigurisë. Gjë që ia siguron heshtja.
Më e rëndësishmja, Rama nuk don që të nxitojë për t’u vënë në krah të Izraelit pa e parë sa të vendosura janë elitat e majta liberale globale-të përfaqësuara më së miri në dasmën e Soros-për t’u rreshtuar si gjithomnë, publikisht ose jo, kundër hebrejve dhe pro arabëve apo persëve.
Një gjë tjetër që ia mban dorën për të shkuar te tastiera e celularit, teksti, dhe pastaj goditja e ‘publiko’ në X apo Facebook, është edhe paqartësia e tij në raport me administratën Trump dhe vetë Presidentin. Lobimet e zgjeruara dhe përpjekjet e tij në kanale diplomatike, ekonomike dhe ndërpersonale, për të rigjetur akses në Shtëpinë e Bardhë deri më tash kanë dështuar. Në këto kushte, Rama nuk don që të ofrohet i pakërkuar, i pathirrur, pra i panevojshëm, në një koalicion Trump-Netanjahu.
Nëse ai mund t’i ketë kërkuar kryeministrit izraelit ndihmë për akses te Trump, ky është momenti për t’ia rikujtuar. Sigurisht, mes një burri që komandon shanset e një luftë ‘botërore’ si Bibi, dhe Edit që bredh dasmave luksoze, ka një hendek në momentum.
Jo se dasma është izraelito-arabe, njëfarë mizanskene e një iluzioni të pamundur të së majtës për ndërtimin e botës, por se rrjeta e Netanjahut për tani kërkon koka aleatësh të mëdhenj, që kanë dronë, jo vetëm gjuhë.
Këtu është i ngecur Edi Rama: Në labirintin e partneriteteve religjioze (Erdogani), ideologjike (elita e majtë globale) dhe oportunitetit politik (nevoja e një aksesi te Trump).
Sa keq që, një burrë që e shet veten pa prajtë si prodhim të qytetërimit, nuk e vendos dot vendin dhe qeverinë që përfaqëson në anën e qytetërimit.

