Connect with us

Lifestyle

Pse ndodhin abortet e përsëritura

Njëra nga situatat më të hidhura e të pakëndshme është momenti kur çiftit i jepet lajmi se shtatzënia nuk po zhvillohet dhe se duhet të kryhet aborti

Situatën e bën të vështirë jo trajtimi mjekësor që duhet bërë në raste të tilla, por menaxhimi i stresit emocional që përjeton pacientja, bashkëshorti i saj, por edhe krejt familja.

Për fat të keq rreth 20% e shtatzënive të çifteve më të reja se 35 vjeç përfundojnë me abort (shumica prej tyre deri në javën e 12).

Kjo përqindje rritet sa më e madhe që të jetë mosha e gruas (përqindja e abortit lidhet më pak me moshën e burrit).

Në shumicën e rasteve nuk mund të bëhet asgjë për ta parandaluar abortin, sepse shumica e aborteve janë pasojë e problemeve gjenetike të frytit.

Organizmi i njeriut e ka një “mekanizëm të kontrollit të kualitetit” dhe kur detektohet ndonjë problem gjenetik ndodh aborti.

Një numër i grave i kanë tri ose më shumë aborte të njëpasnjëshme (aborte habituale).

Abortet habituale shkaktojnë zhgënjim dhe shqetësim të madh te çifti, por nuk duhet të humbet shpresa! Shumë çifte që kishin aborte habituale, janë bërë prindër të fëmijëve të shëndoshë.

Disa nga shkaktarët e aborteve habituale mund të trajtohen si, p.sh., çrregullimet e koagulimit të gjakut, problemet me gjëndrën tiroide ose anomalitë e formës së mitrës.

Nëse ndodhin aborte të përsëritura, atëherë hulumtohet struktura gjenetike e frytit.

Nëse struktura gjenetike e frytit rezulton normale, atëherë logjikshëm mund të mendohet se shkaku i abortit duhet të jetë ndonjë problem shëndetësor i gruas.

Kjo nuk është krejtësisht e vërtetë, sepse ndonëse numri i kromozomeve mund të jetë normal, prapëseprapë mund të ketë çrregullime të gjeneve (ose mungesë të ndonjë gjeni) që mund të rezultojë me ndërprerjen e zhvillimit të frytit.

Analizat gjenetike që mund të bëhen sot, mund të tregojnë numrin e gjeneve dhe radhitjen e tyre, por nuk mund t’i zbulojnë të gjitha çrregullimet gjenetike.

Pra, ka mundësi që edhe nëse testi gjenetik i frytit është normal, megjithatë aborti mund të jetë pasojë e ndonjë çrregullimi gjenetik të pazbuluar.

Advertisement