Connect with us

Aktualitet

Pse po shtrenjtohen sërish karburantet?

Çmimet e karburanteve në vend kanë shënuar një rritje të dukshme dy ditët e fundit.

Nafta ka arritur një çmim prej 185 lekë për litër, nga 179 lekë që kishte arritur pak ditë më parë, në pikat e tregtimit Kastrati. Në pikat e tjera, çmimi varion deri në një lekë më pak.

Rritja e fundit ishte e dyta që tregtarët e karburanteve bëjnë që pas shkrirjes së Bordit të Transparencës. Kur Bordi u shfuqizua, nafta tregtohej me 176 lekë për litër, ndërsa niveli më i ulët ishte arritur në 169 lekë për litër, në fillim të muajit maj.

Ndërkohë, rritje ka parë edhe çmimi i benzinës, e cila tashmë tregtohet me 188 lekë, nga 182 që ishte më parë, ndërsa para se të fillonte shtrenjtimi, kishte zbritur në 179 lekë.

Sipas operatorëve të tregut, kjo rritje vjen për shkak rritjes së çmimeve të karburanteve ne bursa, ku nafta ka arritur fillimisht në 780 dollarë për ton dhe tani 900 dollarë për ton, nga 690 dollarë që ishte në fillim të qershorit kur Bordi mori vendimin.

Një arsye tjetër për këto shtrenjtime duket të jetë edhe rritja e kërkesës për naftë.

Nga ana tjetër, monedha me të cilën nafta tregtohet, dollari, duket se ka pësuar një rënie ndaj Lekut, duke u bërë një tjetër faktor për rritjen e çmimeve.

Ndër të tjera, edhe pse Bordi i Transparencës, mbajti vazhdimisht çmime të larta të karburanteve, duket se edhe operatorët e këtij tregu po i shkojnë asaj rruge.

Ndër të parët që kundërshtuan krijimin e këtij bordi, ata u shprehën rreth një vit më parë se ky mekanizëm do t’u pamundësonte atyre furnizimin me naftë në tregjet më të lira, gjë që sipas tyre do mundësonte çmime 5% më të lira se ato të bordit.

Megjithatë, prej vendimit të fundit të Bordit të Transparencës, deri në shkrirjen e tij, tregtarët e karburanteve e kanë rritur dy herë çmimin.

Veç këtyre, në Shqipëri, nafta është e ngarkuar me 5 taksa shtetërore, si: akciza, taksa e qarkullimit, taksë karboni, TVSH dhe taksë rilicencimi dhe 3 taksa që paguhen nëpërmjet koncesioneve, si taksa për markimin, skanimin dhe pompat. Nga tre taksat koncesionare, nafta ngarkohet në çmim me 4,6 lekë për litër, sipas Shoqatës së Hidrokarbureve.

Shtuar kësaj edhe faktorët ndërkombëtarë e abuzimet e operatorëve të tregut, shqiptarët e paguajnë tashmë naftën më shtrenjtë, teksa nuk dihet nëse ky trend në rritje do të vazhdojë i pakontrolluar.

Advertisement