Connect with us

Shkrime

Pse shkoi Gazi te rrugica? Po ku të shkojë tjetër

Nga Ylli Pata

Dy zhvillimet që mund të diskutohen për këtë javë janë dy. Takimet e Lulzim Bashës në disa degë të Partisë Demokratike ku janë zhvilluar zgjedhjet e brendshme, si dhe shkuarja e Gaz Bardhit dhe deputetëve të tij poshtë dritares së Sali Berishës.

Janë dy zhvillime të lidhura ngushtë me njëra tjetrën, pasi tregojnë edhe mënyrën në sasi e cilësi të lëvizjeve të dy opozitave. Takimet e Bashës në fundjavë, në disa bashki të jugut, ishin mbledhje jo të jashtëzakonshme politike, nëse i referohemi logjikës normale të partive të mëdha. Por pas çarjes së PD-së, çdo lëvizje që lëviz në polet apo ishujt që përbëjnë partinë e ndarë nuk mund veçse të vëzhgohet me kujdes.

Takimet e Bashës në disa degë të PD-së të qarkut Fier, i cili është një zonë e cila konsiderohet një bastion socialist, ishin të plota, ku pati pjesëmarrje por edhe zgjedhje. Të cilat nuk morën reflektorët e duhur mediatikë nga televizionet kryesore, por gjithçka u furnizua nga zyra e shtypit e PD-së,

Ndjekja e vëmendshme e procesit nga reflektorët mediatikë, do t’i kishte dhënë një sy tjetër e këndvështrim përveç asaj që sjell zyra e PD. Megjithatë, fakt është ajo që dihej, partia e Lulzim Bashës ka arritur të rirorganizojë bazën e vjetër të PD-së, ku largimet kanë ndodhur vetëm në shkallën e lartë të saj. Deputetët që sot janë me Foltoren, nuk kanë realisht asnjë strukturë partie, por vetëm mbështetësit e njerëz që kanë qenë pjesë e opozitës, por jo përfaqësues të bërthamave partiale. Ose militantë të partive opozitare të ashtuquajtura “satellite”, ose pjesë e tarafeve të personazheve politike si deputetë, kryebashkiakë, apo edhe drejtues të tjerë vendor e qendrorë.

Aktiviteti politik i Bashës në fundjavë qe një zhvillim politik që foltorja as e ka parë në ëndër për 2 vjet, edhe pse bërtasin e gërthasin se janë shumica e opozitës. Zgjedhjet e 14 majit të vitit të shkuar e panë qartë se Sali Berisha është realisht një grupim fluid, e nuk ka me vete strukturat bazike që bëjnë fushatat politike.

Ndërkaq, zhvillimi tjetër ishte bashkimi i Gaz Bardhit me kauzën e Sali Berishës kundër SPAK, e kundër SHBA-së. Vizita e Sekretarit të Shtetit të SHBA, ka shumë gjasa që të vulosë edhe më fort qëndrimin perëndimor kundër Sali Berishës. Megjithatë, si Gazmend Bardhi, ashtu edhe deputetët e tjerë, të gjithë zhurmën e bëjnë vetëm për një gjë: sepse i kanë përzënë degët e PD-së që prej një viti, e nuk arrijnë dot të bëjnë për vete një lobim në bazë. i vetmi që arriti të ngjizë një zonë ishte Ervin Saljanji në Kavajë. Ku edhe fitoi zgjedhjet. Gjasat janë se i vetmi që mund të marrë një nominim jo vetëm nga foltorja, por edhe strukturat e PD-së, të jetë Saljanji. Ndoshta edhe Luçiano Boçi, mund të arrijë një marrëveshje me demokratët e Elbasanit. Ndërsa të gjithë deputetët e tjerë, nuk qasen nga asnjë strukturë e PD-së në zonat ku janë zgjedhur. Ndaj të vetmen mundësi kanë të përdorin burimet dhe fuqinë ekonomike, por edhe influencën e Sali Berishës. i cili siç e tha edhe Flamur Noka nuk e ka ndërmend të futet në zgjedhje, por do bëjnë revolucion. Këtu kanë ngecur edhe Bardhi me shokë, që po kërkojnë një marrëveshje në tavolinë. Ta japë kush ta japë, tip win -win.

Advertisement