Shkrime
Pse Shqipëria nuk është më vendi sekret i Evropës?
Nga Brixhilda Xhuraj
Plazhe mahnitëse dhe kosto të ulëta. Janë këto dy arsye që do t’i ofrojnë Shqipërisë këtë sezon turistik deri në 10 milionë vizitorë. Të paktën kështu shkruan e përditshmja “Euronews”, e cila thekson se Shqipëria po pret një fluks të madh turistësh këtë vit, të tërhequr nga riviera e saj bregdetare dhe plazhet që të lënë pa frymë. Ajo vë në dukje se trendi ka qenë i dukshëm që në fillim të pranverës dhe operatorët turistikë presin që vizitorët të vijnë në numër në rritje.
Kreu i Shoqatës së Operatorëve Turistik në Sarandë, Arben Cipa, ka vënë re një rritje të konsiderueshme, por edhe shumëllojshmëri të vizitorëve.
“Unë mendoj se këtë vit ne mund të arrijmë edhe 200 për qind të klientelës në krahasim me vitin e kaluar”.
Flora Xhamani, CEO e “Travel Magazine Balkan”, është dakord dhe thotë se ka pasur një rritje të qëndrueshme.
“Ka një rritje progresive rreth 20-30 për qind çdo vit. Pra, numri i turistëve është 30 për qind çdo vit dhe padyshim që edhe këtë vit do të jetë më i lartë.
Pse po bëhet kaq popullore Shqipëria?
Turistët tërhiqen nga bukuria natyrore e Shqipërisë, çmimet e përballueshme dhe natyra mikpritëse e shqiptarëve.
Kostoja mesatare e shërbimeve hoteliere për një ditë qëndrimi varion nga 30 deri në 300 euro dhe për këto arsye, turistët që vizitojnë Shqipërinë thonë se ka të ngjarë të kthehen sërish.
Një turist holandez u shpreh se “kemi ushqim të mirë këtu, dielli po shkëlqen, deti është i bukur, gjithçka është e mirë”.
“Për ne është vërtet e lirë dhe është e bukur”.
“Ajo që më pëlqen më shumë në Shqipëri janë njerëzit”, shpjegoi një turist gjerman.
“Njerëzit janë vërtet shumë të këndshëm. Kudo që shkojmë njerëzit ndalojnë dhe pyesin nëse kemi nevojë për ndihmë”.
Një tjetër e përshkroi atë si “të bukur, vërtet të bukur”.
Kur u pyetën nëse do të ktheheshin, ata u përgjigjën se do të vijnë shumë herë.
Shqipëria priti 7.5 milionë turistë në vitin 2022, por Instituti i Statistikave të Shqipërisë raporton se nga janari në prill, ka pasur 3.54 milionë vizitorë, që paraqet një rritje prej 35 për qind.
Ministria e Turizmit, në projeksionet e saj për vitin 2023, thekson se objektivi është të akomodohen rreth 10 milionë turistë.