Shkrime
Pse të vegjlit nuk e provojnë njëherë kënaqësinë
Nga Ben Andoni
Është e hapur pakënaqësia e partive të vogla, sidomos nga ana e të Djathtëve për zgjedhjet lokale. Edhe pse përçarja e PD-së dhe lodhja e PS-së në pushtet u kanë dhënë të gjithë mundësinë për të drejtuar fushatat e partive të tyre por më shumë se kaq të jenë kurajoze për të caktuar njerëz dhe për të përshfaqur qëllimet e tyre, ato thjesht vegjetojnë në pritje…të zgjidhjes së Ngërçit Godo. Në vend të një ndërmarrje, përpjekja zhvillohet për Këshillat Bashkiakë dhe Komunarë sepse aty mund të identifikohen me rehatimet e militantëve dhe ndonjë punë që mund t’i interesojë partisë për zgjedhjet e përgjithshme, kur punojnë me të gjitha bateritë. Është momenti i vetëm ku justifikojnë katër vite vegjetim. Në orët e fundit kryetari i Partisë Agrare e ka thënë hapur se: “Ne s’kemi potencial as energji dhe as qëllim që të nxjerrim një kandidat të tretë. S’duam kurrë të bëhemi pjesë e përçarjes së opozitës, sepse ajo boll vuan nga ajo që ne vetë kemi bërë. Nuk shoh asnjë lloj arsye që ne të mund të bëhemi pjesë e garës nëse dalin më shumë se dy kandidatë”, ka përfunduar Duka.
Në fakt, sikleti i Shqipërisë është edhe më i madh pasi votuesi nuk ka më asnjë forcë me votën e tij. Publiku nuk zotëron dot pushtet sepse vota e tij nuk ka asnjë lloj force domethënie, që do të thotë t’i bëjë politikanët dhe të zgjedhurit që të detyrohen. Dikur publiku me mllefin apo me ngazëllimin i mendonte dhe i arsyetonte më mirë të zgjedhurit e vet, kurse sot, janë kryetarët që vendosin për gjithë publikun, që i mendonte dhe i arsyetonte më mirë të zgjedhurit e vet. Sot, janë vetëm e thjesht kryetarët që vendosin për gjithçka.
Është e pamundur sesi publiku dhe grupet e interesit nuk shikojnë dot figura alternative lokale përballë socialistëve, që në votimet e fundit e kanë pothuaj të gjithë pushtetin lokal nën emrat e tyre. Votuesi shqiptar njësoj si ai kudo në Evropë e gjetkë nuk ndryshon dot më ndonjë gjë me votën e tij.
“Çështja e besimit në demokraci është çështje pushteti. Që të dimë se sa forcë ka fletë-votimi në dorën e votuesit duhet të dimë se çfarë ka votuesi në dorën tjetër”, shprehet Krastev.
Dhe, nëse kohë më parë kishte pushkën, nëse vendit të tij i kanosej rreziku; veglat e ndërtimit, nëse do të duhej të derdhte energji për ndërtim, tashmë ka vetëm një fletë, që shpërdorohet nga politikanët, sepse këta nuk kanë më nevojë për votën. Publikut i merret vota, sipas rregullit demokratik…
Ky ishte momenti që partitë e vogla duhet të gjuanin për interesat e tyre dhe falë individëve të nderuar të tregonin sfidën. Nuk është e vështirë nëse në vende të caktuara dhe do të garonin të bashkuar. Por, kjo mungon, sepse liderët e partive i kanë punët e tyre të rregulluara ashtu si shumë syresh prej tyre, që i ndjekin dhe po mbajnë këtë status quo. Kriza politike e Shqipërisë nuk është vetëm nga mënyra sesi ushtrohet demokracia prej partive të mëdha, por nga mënyra sesi e shfrytëzojnë partitë politikën në kurriz të tyre.
Në çdo qytet mund të përballësh premtimet e kandidatëve të shkuar por edhe gjendjen aktuale të hapësirave publike sa i përket ndotjes, gjelbërimit dhe sidomos betonizimit, por për këtë nuk ka shumë kohë.
Partitë e vogla e kanë mendjen vetëm sa t’u ngjiten sërish partive të mëdha, kurse këto të fundit të munden të fusin duart dhe në pushtetin lokal, që po bëhet gjithnjë e më larg njerëzve. Kurse vetë njerëzit duke u bërë gjithnjë e më apatikë përballë një politike që nuk i përfaqëson, po shkatërrojnë atë që mezi u ngrit në Shqipëri e ngado.
“Vdekja e demokracisë nuk ka gjasa të jetë një atentat nga ndonjë pritë aty-këtu. Do të jetë një zhdukje e ngadaltë nga apatia, indiferenca dhe kequshqyerja”, shkruan Robert Maynard Hutchins. E me sa duket ndaj sot presin edhe partitë e vogla. Tek e fundit, çfarë u duhet kjo lloj demokracie?!