Shkrime
Pse u “therën” deputetët e opozitës
Nga Ylli Pata
Agron Gjekmarkaj ka deklaruar sot se deputetët e opozitës po theren me njëri-tjetrin. Nënkryetari i Kuvendit, në elaborimin e tij ka theksuar se ee gjithë ky stress e frustrim i deputetëve të opozitës vjen ngaqë u janë mohuar të drejtat themeltare, e nga që s’kanë të drejta, atyre u ka ikur truri e po bëjnë fratricid.
Në fakt opozita shqiptare ka mbi tre vjet që është në qendër të opinionit publik, ekzaktësisht menjëherë pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, e më shumë ende pas 19 majit, kur Sali Berisha është shpallur Non Grata nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Nuk ka natë në emisionet televizive që temë most ë jetë situata në PD, e cila është lakuar jo vetëm me të gjitha rasat, por situata ka kaluar edhe për tej, sepse është hyrë në subkoshiencë, psikologji, paranormale, i është futur antikitetit, e kanë gjetur ngushëllim tek konspiracionet e Fred Cakos, që të keqen e gjen te Kabala.
Në realitet, përveç kësaj skene biblike, ne kemi përjetuar ku e ku faza të historisë botërore në selinë e SHQUP-it, ku i marrin të keqen kryqezatat e mëdha për të marrë Jeruzalemin, apo tragjeditë greke me Elektra e Edipë.
Por si ka mundësi që kjo nuk po ndodh te opozita aktuale. Gjëja më normale, ku si Gaz Bardhi, Gjekmarkaj, nuk e gjejnë veten me Lulzim Bashën. Të cilën jo vetëm s’e duan, po e kanë inat, shumë inat, nuk ngrenë folenë e vet? A, këtu fle lepuri! Ata po strehohen te “Gjyshi i Madh”, që Dritëro Agolli e ka ilustruar në mënyrë mjeshtrore te “Njeriu me Top”. Po “Gjyshi i Madh” as nuk e ka fare interesin tek ata që mendojnë nipat, apo mbesa Shegë, po inatin e ka me Mato Grudën e komunistët.
E siç tha Plaku Mere: Gjylja e madhe plasi, kur tespitë dalin nga vargu, askush nuk i mbledh më. E kështu Plakut Mere nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të qeshë, të qeshë me të madhe!
Po përtej ngjashmërive të veprave të shumta me persona realë, megjithatë çështja në këtë rast është politike. Përse theren deputetët e PD-së mes vetes?
Sepse duan të trashëgojnë pronën që “Gjyshi i Madh” nuk ua lë me testament. Duan votat e demokratëve në bazë; njerëzve që votojnë kundër Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Po të shkojnë t’i marrin atje në territor, të flasin me anëtarët e PD-së dhe votuesit, sepse rrugë tjetër nuk ka! Por a i presin vallë demokratët, deputetët e tyre për të folur e për tu kërkuar votat? Ja kjo është çështja, kjo është realisht thelbi i ekuacionit që ka shkaktuar fratricidin përtej Kainit e Abelit. Në fund të fundit edhe Kaini edhe Abeli formuan popujt e tyre…