Sport
PSG-ja shpërfytyron Inter-in në finalen e Champions League

PSG-ja është kampionia e re e Evropës pasi shkatërroi me rezultatin tenistik 5-0 Inter-in në finalen e madhe të UEFA Champions League 2024-25, të mbajtur këtë të shtunë, 31 maj, në “Allianz Arena” të Mynihut.
Për herë të parë në historinë e klubit, PSG-ja arrin të ngrejë trofeun me veshë të mëdhenj, duke e rikthyer kupën në Francë pas më shumë se 20 vitesh.
Heronjtë e parizienëve në takimin përballë italianëve ishin Achraf Hakimi, Desire Doue (dy gola), Khvicha Kvaratskhelia dhe Senny Mayulu.
Ky ishte takimi i parë konkurrues midis këtyre skuadrave, por ndërsa ishte finalja e dytë e zikaltërve në tre vjet, PSG-ja kishte arritur deri këtu vetëm një herë më parë me humbjen në vitin 2020 ndaj Bayern-it.
Ekipi francez dominoi fazat e hershme dhe mori një epërsi të merituar kur Vitinha kaloi një top për Doue, i cili u rrotullua nga e majta për të gjetur Hakimi-n me këtë të fundit që vetëm sa e shtyu në rrjetë.
Ai u mbajt në pozicion të rregullt nga Federico Dimarco, por nuk festoi kundër ish-klubit të tij, duke kërkuar falje nga tribunat.
Kur Inter-i po përpiqej të fitonte një goditje nga këndi, ajo u kthye mbrapsht nga Pacho në vijën anësore për të shkaktuar një kundërsulm shkatërrues, i cili kulmoi me gjuajtjen e Doue që u devijua nga Dimarco dhe përfundoi në rrjetë.
Ishte hera e parë në të gjithë këtë sezon të Champions League-s që Inter-i ishte dy gola në humbje.
Francesco Acerbi goditi me kokë një goditje nga këndi mbi traversë, ndërsa Marcus Thuram gjuajti me kokë vetëm pak jashtë shtyllës së largët.
Ousmane Dembele u ndesh me një krosim të Doue në shtyllën e dytë, por francezi humbi një rast të pastër për 3-0.
Doue dhe Kvaratskhelia patën të tjera raste në vazhdimin e lojës, me ish-sulmuesin e Napoli-t që gjithashtu gjuajti me kokë nga një goditje këndi.
Kishte edhe më shumë lajme të këqija për Inter-in, pasi Yann Bisseck qëndroi në fushë vetëm për nëntë minuta përpara se të dilte jashtë loje me një dëmtim.
Ndërsa gjermani ende po lëvizte me vështirësi jashtë fushës, PSG-ja shënoi një gol të tretë me aksionin që filloi me një pasim të Dembele-s me thembër për Vitinha-n, me portugezin që asistoi për sensacionit adoleshent Doue, teksa ai nuk gaboi përballë Sommer-it.
Më pas ishte radha e Kvara-s për të shënuar emrin e tij në listen e golashënuesve të mbrëmjes, me gjeorgjianin duke e mposhtur Sommer-in në shtyllën e afërt me një gjuajtje të pamëshirshme.
Bradley Barcola duhej të kishte shtuar një gol të pestë kur e gjuajti topin jashtë shtyllës së afërt pasi me një driblin e rrëzoi Acerbi-n përtokë.
Megjithatë, ende nuk kishte mbaruar, teksa lojtari i ekipit të të rinjve Senny Mayulu përfundoi një kombinim me Barcola-n për të shpërthyer në të majtë dhe për të mposhtur Sommer-in nga afër për 5-0.
Pasi dështoi të fitonte në finalen e vitit 2020 kundër Bayern Munich-ut, pronari Nasser Al Khelaifi ia doli të fitonte Champions League-n që e kishte ndjekur prej kohësh.
Një sezon i shkëlqyer për Marquinhos dhe shokët e tij të ekipit, të cilët arritën kështu tripletën falë edhe suksesit në Ligue 1, i cili nuk vihej kurrë në dyshim, dhe fitores së javës së kaluar në Kupën e Francës.
Ky është trofeu i parë evropian me klube për Gianluigi Donnarumma-n, një protagonist i madh gjatë gjithë sezonit, i cili me Italinë ka fituar tashmë Kampionatin Evropian në vitin 2021, ku u zgjodh edhe lojtari më i mirë i ngjarjes kontinentale.
Doue: Lojtari i ndeshjes
PSG-ja kishte nivel shumë herë më të lartë se kundërshtari, por Doue, autori i dy golave dhe një asisti, ishte lojtari më i mirë i mbrëmjes.
Sipas “Sofascore” talenti i ri francez u vlerësua me notën 9.7, nota më e lartë, e ndjekur nga Dembele dhe Vitinha me 8.1 dhe Hakimi me 8.
Nga Inter-i, vetëm Barella mundi të kishte notën 7.
Acerbi dhe Sommer kishin notat më të ulta të mbrëmjes, 6.
Statistikat interesante të ndeshjes
Me përfshirjen e tij në lojë në minutën e 70, Kristjan Asllani bëhet lojtari i parë i Kombëtares shqiptare që paraqitet në një finale të UEFA Champions League.
Desire Doue është lojtari i parë që u përfshi në tre gola në një finale të Champions League.
Në historinë e garave të mëdha evropiane, PSG-Inter është finalja me një ndeshje të vetme me diferencën më të lartë të golave midis dy ekipeve (pesë gola).
Inter-i është skuadra e parë që pëson pesë gola në një finale të Champions League; duke përfshirë edhe Kupën Evropiane, kjo nuk kishte ndodhur që nga viti 1962 (Benfica-Real Madrid 5-3).
Për herë të parë, një ekip (Inter) ka pësuar dy gola në 20 minutat e para të një finaleje të Champions League.
Mosha mesatare e formacionit titullar të PSG-së sonte (25 vjeç e 96 ditë) ishte pesë vjet e 146 ditë më e re se ajo e Inter-it (30 vjeç e 242 ditë), diferenca më e madhe në moshë midis dy formacioneve titullare në një finale të Champions League.
Inter-i (30 vjet e 242 ditë) kishte formacionin titullar të tretë më të vjetër në një finale të Champions League (Milan – 2007 | 31 vjeç e 35 ditë, Juventus – 2017 | 30 vjeç e 336 ditë).
Luis Enrique është trajneri i dytë që fiton tripletën me dy klube evropiane të ndryshme, më parë e kishte bërë këtë në sezonin 2014-15 me Barcelona-n, së bashku me Pep Guardiola-n (Barcelona në sezonin 2008-09 dhe Manchester City në sezonin 2022-23).
PSG shënoi pesë gola në finalen e Champions League, një më shumë se shtatë ekipet e para franceze që arritën në finale së bashku.

