Kronike
‘Punonte për bukën e gojës’/ U vra pafajësisht nga atentati në Memaliaj, flet gjyshja e kamarierit të ekzekutuar
Një atentat i rëndë tronditi mbrëmjen e së shtunës Memaliajn. Tre persona gjetën vdekjen pas breshërisë së plumbave të cilat u qëlluan në drejtim të tyre. Shënjestër e këtij atentati ishte viktima Shyqyri Kalemi ndërsa dy viktimat e tjera morën plumba pasi ndodheshin pranë shënjestrës në momentin kur autorët qëlluan në drejtim të 73-vjeçarit.
Viktimat ishin kamarieri dhe një klient në lokalin në lagjen nr 3, para godinës së bashkisë së këtij qyteti. 36-vjeçari, kamarier i lokalit Gledio Muka dhe 37-vjeçari, klienti Marsel Çela ishin personat që ndodheshin në momentin “e gabuar” pranë shënjestrës ku më pas edhe gjetën vdekjen.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe gjyshja e Gledian Mukës, Hava Muka. Gjyshja e moshuar gjatë fjalës së saj kërkoi drejtësi për nipin e ndjerë. Ajo tha se 36-vjeçari ishte një person i mrekullueshëm, i cili nuk është i përfshirë në asnjë veprimtari kriminale. Gjyshja shtoi se Glediani kishte 1 vit që punonte si kamarier për të siguruar bukën e gojës për familjen e tij.
“Djalin e kemi patur flori e shkuar floririt. Nuk e prisnim që të vritej djali, Ai punonte atje kamarier për bukën e gojës. Përse ma vranë djalin, përse?! E kishte lënë punën dhe po rrinte atje se ishte vapë. Unë jam gjyshja, në këto kushte kërkojmë të drejtën e djalit, përse na i vranë. Çfarë bën shteti, i morën jetën djalit! Floriri i nënës! Duam drejtësi që na vranë djalin pa faj, duke punuar. Ishte i ndershëm dhe punëtor. Kishte një vit që punonte atje kamarier. Punonte aty për bukuri. Një djal i mrekullueshëm. E kishim yll mezi e kemi rritur”, tha gjyshja.