Shkrime
Pushteti në hije dhe Republika e Drejtorëve: Nga kolltuku i xanun nuk na luan askush, deri në vdekje

Nga Baton Haxhiu
Kërkesa e Kryeministrit Edi Rama për dorëheqjen e disa drejtorëve kyç në bashkitë e Vlorës, Fierit, Durrësit, Tiranës dhe Shkodrës, është më shumë se një ndërhyrje administrative. Është një akt i rrallë politik në një terren që për shumë vite ka qenë i paprekur, i mbrojtur nga mungesa e vëmendjes dhe nga tërheqja e vetë shtetit.
Për herë të parë një udhëheqës i mazhorancës i drejtohet një shtrese që nuk ka qenë asnjëherë në qendër të krizës politike, por që ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Në pamje të parë mund të duket si një riorganizim teknik i administratës vendore. Në thelb, është një përplasje me strukturën e një pushteti paralel që ka funksionuar në hije si Republika e Drejtorëve.
Kjo republikë nuk ka qenë as pjesë e votimeve, as e emisioneve politike, as e debatit të drejtëpërdrejtë me qytetarët. Ajo u krijua në një çast vakumi institucional, kur opozita dogji mandatet e saj parlamentare dhe bojkotoi zgjedhjet vendore, duke i lënë të gjitha bashkitë dhe këshillat në duart e një partie të vetme.
Ishte pikërisht kjo hapësirë e pakufishme, ajo e cila fuqizoi një strukturë vendimmarrëse pa kontroll të brendshëm politik, pa presion publik dhe pa ndonjë rrezik të afërt nga drejtësia, e cila në atë kohë sapo kishte hyrë në procesin e reformimit.
Ky vakum u mbush nga një kategori e re pushteti, me drejtuesit lokalë që nuk ishin zgjedhur nga populli, por që ushtronin një autoritet real mbi vendimet që preknin çdo detaj të jetës qytetare. Ata nuk ishin ministra, nuk ishin kryetarë bashkie, por ishin ata që vendosnin për sheshet, për lejet, për ngjyrat, për ndërhyrjet, për pengesat. Ata kishin pushtet praktik, të përqendruar dhe të pakufizuar nga debatet institucionale. Dhe sidomos, kishin një gjë që asnjë institucion tjetër nuk kishte në atë periudhë: Drejtorët nuk i shikonte askush.
Shembulli i Taulant Tushës në Bashkinë e Tiranës është ilustrues për këtë model. Ai nuk ishte politikan i ekspozuar, as drejtues me mandat publik. Por kishte ndërtuar një sistem vendimmarrjeje ku çdo detaj i qytetit kalonte nga filtrat e tij. Dhe ky nuk është problem i një emri. Është problem i një modeli që funksionon njësoj në çdo qytet, ku një drejtues i përhershëm, i fshehur brenda strukturës, kthehet në vendimmarrës absolut për gjithçka që preket, ndërtohet apo prishet.
Për vite me radhë, përplasja mes politikës dhe drejtësisë në Shqipëri ka qenë përqendruar te qeveria qendrore. Ministrat, zëvendësministrat, tenderët e mëdhenj, dosjet e ekspozuara ishin në vëmendjen e hetimeve apo kritikës publike.
Ndërkohë, pushteti real që ndryshonte estetikën e qyteteve, shkatërronte shijen urbane, deformonte funksionalitetin publik dhe përqendronte interesa të vogla në dorë të individëve, mbetej i paprekur. Ishte një pushtet pa zë, por me pasoja. Ishte vendimmarrja e heshtur që nuk bënte zhurmë, por vendoste për gjithçka.
Ky është thelbi i Republikës së Drejtorëve, pushteti që nuk matet me poste, por me ndikim në jetën e përditshme të qytetarit. Dhe nëse sot po kërkohet dorëheqja e tyre, kjo nuk është vetëm për të riorganizuar administratën.
Është për të shkundur një strukturë që u kthye në problem themelor për vetë koherencën e qeverisjes. Sepse nëse qeveria qendrore përpiqet të mbrojë një filozofi publike të zhvillimit dhe transformimit, kjo bie menjëherë poshtë kur qytetari përballet me një drejtues vendor që vepron në mënyrë arbitrare, pa transparencë, pa përgjegjësi dhe shpesh me arrogancë që buron nga siguria se nuk e lëviz askush.
Reforma e hapësirës publike që ka shpallur Rama nuk mund të ndodhë pa shembur më parë këtë republikë të nëndheshme që është vendosur në zyrat vendore, që ka zhvatur hapësirën me leje, me lehtësira, me vonesa të qëllimshme dhe me ndikime klienteliste. Nuk mund të ketë një qytet të përbashkët kur ai menaxhohet si pronë e përkohshme nga një drejtues që sillet si përfitues i zonës dhe jo si administrator i përbashkët.
Për këtë arsye, beteja me Republikën e Drejtorëve është më shumë se një luftë me disa individë. Është një përpjekje për të rivendosur kontrollin politik dhe publik mbi hapësirën urbane dhe administrative. Sepse kjo nuk është thjesht çështje e korrupsionit klasik financiar. Është çështje e përplasjes mes vizionit për shtet dhe mënyrës praktike si ai funksionon kur delegohet pa kontroll.
Në fund, Shqipëria nuk mund të bëhet model për asgjë, nëse nuk pranon të shembë këtë strukturë hijesh. Drejtori që vendos për një rrugë, një kioskë, një qendër grumbullimi, një plan vendosjeje, nuk është vetëm zyrtar. Ai është nyja ku përplasen të gjitha gabimet e sistemit. Dhe nëse nuk mbajnë më përgjegjësi, atëherë të gjitha fjalët për reformë, modernizim dhe standarde evropiane, janë zbrazëti.
Pushteti i padukshëm është më i rrezikshmi. Sepse nuk mban kosto, por e mban peng shtetin. Dhe në Shqipëri, për shumë vite, shteti ka qenë i mbajtur peng jo nga ata që flisnin shumë, por nga ata që vendosnin pa u parë. Tani që po kërkohet dorëheqja e tyre, është momenti për të parë në sy të vërtetën: ata nuk kanë pasur kurrë një republikë të vetën sepse ishin të aftë, por sepse shteti i la të sundonin në terr.
Tani drita ka filluar të ndriçojë zyrat e tyre. Dhe ky është shansi i vetëm që Shqipëria të rifitojë shtetin e saj. Të përbashkët. Dhe jo të deleguar përjetë.

