Sport
“Puthja e ndaluar”, FIFA merr vendimin për ish-presidentin e Federatës Spanjolle të Futbollit
Komisioni Disiplinor i FIFA-s ka skualifikuar Luis Rubiales, ish-president i Federatës Mbretërore të Futbollit Spanjoll (RFEF), nga kryerja e çdo aktiviteti në lidhje me futbollin për tri vite, si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, duke konsideruar se sjellja e tij ka shkelur nenin 13 të Rregullores Disiplinore të FIFA-s.
Ky dënim ka të bëjë me ngjarjet e ndodhura gjatë finales së Kupës së Botës për femra, më 20 gusht 2023, kur ai puthi në buzë futbollisten e kombëtares iberike, Jenni Hermoso, teksa ndaheshin medaljet e kampioneve.
Pikërisht për këtë “puthje fatale”, Rubiales ishte pezulluar përkohësisht për një periudhë fillestare prej 90 ditësh. Vendimi i Komisionit Disiplinor të FIFA-s i është njoftuar këtë të hënë Rubiales, i cili, në bazë të dispozitave të Kodit Disiplinor të FIFA-s ka 10 ditë kohë për të kërkuar vendimin e arsyetuar, i cili nëse kërkohet do të publikohet në “legal.fifa.com”.
Ky vendim mund të apelohet në Komitetin e Apelit të FIFA-s. “FIFA përsërit angazhimin e saj absolut për të respektuar dhe mbrojtur integritetin e të gjithë njerëzve dhe për të siguruar që rregullat bazë të sjelljes qytetare të respektohen”, – thuhet në deklaratë.