Connect with us

Bota

Putin bën thirrje për reformim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së

OKB-ja duhet t’i përshtatet rolit në rritje të vendeve në zhvillim në mënyrë që ato të përfaqësohen më mirë, përfshirë në Këshillin e Sigurimit, deklaroi të enjten presidenti rus Vladimir Putin.

Duke folur në një sesion të nismës së BRICS Outreach gjatë samitit të organizuar nga Rusia në qytetin e Kazanit, Putin vuri në dukje se Karta e OKB-së kishte hyrë në fuqi në të njëjtën ditë në vitin 1945. Për gati tetë dekada, parimet e dokumentit “kanë shërbyer si themeli i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i së drejtës ndërkombëtare”, tha ai.

OKB-ja duhet të ruajë rolin e saj në ruajtjen e paqes dhe sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm të njerëzimit, por duhet “të përshtatet me realitetet e shekullit të 21-të” për të qenë efektive, tha presidenti rus. Në veçanti, Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe agjencitë e tjera kyçe të OKB-së duhet të përfaqësojnë më mirë “kombet e Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine, përfshirë ata të pranishëm në këtë sallë”, sugjeroi Putin.

“Një reformë e institucioneve udhëheqëse të OKB-së dhe strukturave financiare globale është shumë e vonuar. Pesha e vendeve në zhvillim në ekonominë botërore ka ndryshuar rrënjësisht në dekadat e fundit”, shtoi ai.

 

 

Putin përmendi në mënyrë specifike Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore. Kjo e fundit nuk është pjesë e arkitekturës së OKB-së, por krijimi i saj në mesin e viteve 1940 reflektoi në mënyrë të ngjashme ndryshimet në rendin global në vazhdën e Luftës së Dytë Botërore.

Advertisement