Connect with us

Bota

Putin gati për armëpushimin/ Presidenti rus i kërkon Erdoganit të bëj ndërmjetësim

Pas takimit të Këshillit të Lartë Ekonomik Euroaziatik, Presidenti rus Vladimir Putin mbajti një konferencë për shtyp ku bëri publike detaje të rëndësishme lidhur me procesin e negociatave me Ukrainën. Ai deklaroi se më 2 qershor, gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga Turqia në Stamboll, Rusia dhe Ukraina arritën një sërë marrëveshjesh humanitare, përfshirë kthimin e mbi 6,000 kufomave të ushtarëve ukrainas, shkëmbimin e të plagosurve rëndë dhe të burgosurve nën moshën 25 vjeç.
“Një tjetër shkëmbim të burgosurish u zhvillua dje. Kjo është e rëndësishme nga një këndvështrim humanitar. Krijon kushte të favorshme për zgjidhjen e çështjes,”deklaroi Putin. Ai shtoi se Rusia është e gatshme të dorëzojë edhe 3,000 kufoma të tjera dhe theksoi se veprimet e ardhshme varen nga vendimet e palës ukrainase.
Sa i përket mundësisë së një raundi të tretë të bisedimeve, Putin u shpreh i hapur dhe tha se pret që presidenti turk Erdogan të vazhdojë të luajë rolin e ndërmjetësit: “Ne jemi gati. Mjafton të caktohet data dhe vendi. Besoj se Stambolli mbetet një alternativë e vlefshme.”
Putin gjithashtu konfirmoi se janë shkëmbyer projekt-memorandume për një marrëveshje paqeje mes palëve, duke i përshkruar ato si “memorandume kontradiktore”, por shtoi se dialogu për të gjetur pika të përbashkëta është ende në vazhdim dhe delegacionet mbajnë kontakte të rregullta.

Advertisement