Connect with us

Bota

“Putin luajti me Trumpin…”/ Zelensky i ashpër: Presidenti rus nuk e do fundin e luftës

Presidenti rus Vladimir Putin “nuk është gati për kompromise” për t’i dhënë fund luftës së tij brutale, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky për New York Post në një intervistë ekskluzive të mërkurën

Ai shtoi se Presidenti Trump ka fuqinë ta gjunjëzojë atë duke përshpejtuar sanksionet e ashpra që mund të shkaktojnë një “shpërthim social” në Rusi.

“Ai duhet ta ndiejë këtë”, tha Zelensky.

Udhëheqësi tha se ishte “shumë mirënjohës” që Trump mbështet sanksionet, duke iu referuar njoftimit të presidentit të hënën se do të vendoste tarifa 100% për vendet që blejnë naftë ruse nëse Moska nuk bie dakord për një marrëveshje paqeje.

Volodymyr Zelensky thotë se ai dhe presidenti amerikan, Donald Trump po shqyrtojnë një marrëveshje të madhe për dronët, e cila do të kishte ndikim të rëndësishëm në bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve.

Sipas presidentit të Ukrainës, plani përfshin blerjen nga ana e Uashingtonit të dronëve luftarakë ukrainas, të cilët janë testuar dhe provuar në kushte reale lufte kundër forcave ruse.

Këta dronë, të zhvilluar gjatë përpjekjeve të vazhdueshme të Ukrainës për të mbrojtur territorin e saj, janë vlerësuar për efikasitetin, fleksibilitetin dhe koston më të ulët krahasuar me platformat perëndimore.

Në këmbim, Kievi do të blinte armë amerikane, duke përfshirë sisteme të avancuara mbrojtëse dhe sulmuese, të cilat do të ndihmonin në forcimin e mbrojtjes së vendit kundër agresionit rus.

Në një intervistë për New York Post, lideri ukrainas theksoi se kjo marrëveshje do të përmirësonte ndjeshëm aftësitë ajrore të të dyja vendeve.

Sipas tij, Ukraina do të përfitonte teknologji të re amerikane, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të përfitonin nga përvoja dhe zhvillimi i teknologjive të testuara në një nga fushëbetejat më të vështira moderne.

Zelensky gjithashtu la të kuptohet se një bashkëpunim më i ngushtë me SHBA-të nën udhëheqjen e Trump mund të ndryshojë ekuilibrin e forcave në rajon.

Ndryshe, Ukraina dhe SHBA-ja tashmë kanë arritur një marrëveshje për shfrytëzimin e mineraleve ukrainase.

Megjithatë, afati 50-ditor, tha ai, do të thotë vetëm më shumë vdekje dhe shkatërrim për pothuajse dy muaj të tjerë.

“Pesëdhjetë ditë, për ne, është thjesht — çdo ditë është e frikshme”, tha Zelensky.

Zelensky tha se zgjidhja për më shumë se tre vjet gjakderdhje është ta bëjmë Putinin të dëshirojë t’i japë fund luftës së tij.

“Putini nuk dëshiron një përfundim… kështu që ai thjesht nuk është i gatshëm të bëjë kompromis”, tha Zelensky.

“Nëse Ukraina duhet ta bëjë këtë vetë, kemi një rrugë shumë të gjatë për të bërë, me shumë vdekje për ta bindur atë se është e rëndësishme [të përfundojë konflikti] sepse nuk janë vetëm fjalë – ato kanë nevojë për ndikim serioz.”

Kjo vjen në një kohë kur makina e luftës e Putinit është bërë gjithnjë e më e egër, duke synuar qëllimisht civilët – përfshirë foshnjat – me dronë shpërthyes, të cilët forcat e tij po i lëshojnë në Ukrainë në numër rekord.

Ushtria ruse madje shënjestron edhe ekipet e ndihmës së parë pas një sulmi, tha Zelensky. Sulmet dytësore janë të zakonshme, me Moskën që dërgon dronë shtesë për të eliminuar ata që përpiqen të ndihmojnë viktimat.

Vonesa i jep luftënxitësit rus edhe më shumë kohë për të kryer kryqëzatën e tij të ligë – pasi ai tashmë “ka luajtur me Trumpin” përmes muajsh negociatash paqeje të vonuara dhe të pafrytshme me Moskën, tha Zelensky.

“Putini ia ka humbur kohën Presidentit Trump”, tha ai. “Do të doja shumë të shihja Shtetet e Bashkuara, Kongresin dhe presidentin të ushtronin presion mbi këtë situatë me anë të sanksioneve dhe kështu, sa më shpejt, aq më mirë”.

 

Advertisement