“Presidenti rus Vladimir Putin dëshiron që Ukraina të dorëzohet”, tha diplomati më i lartë i Gjermanisë, Johann Wadephul, gjatë një vizite në Kiev, ndërsa Rusia ka intensifikuar bombardimet e vendit fqinj në javët e fundit.

Kjo është vizita e parë e Ministrit të Jashtëm gjerman Wadephul që kur ai mori detyrën muajin e kaluar.

Mes bisedimeve të ngecura për t’i dhënë fund luftës trevjeçare, “Putini nuk po tërhiqet nga asnjë nga kërkesat e tij maksimaliste – ai nuk dëshiron negociata, ai dëshiron kapitullim”, tha Wadephul gjatë vizitës së panjoftuar në Kiev.

“Liria dhe pavarësia e Ukrainës janë detyra më e rëndësishme e politikës sonë të jashtme dhe të sigurisë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Ministria e Jashtme gjermane.

Rusia “po mbështetet në dobësimin e mbështetjes sonë dhe dëshiron pushtimin dhe nënshtrimin me çdo kusht, madje edhe me koston e mijëra jetëve”, tha ai.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve perëndimorë të forcojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës pas sulmeve ruse më 29 qershor që përfshinin qindra dronë, raketa lundrimi dhe raketa balistike.

Gjermania është mbështetësja më e madhe e Ukrainës në Evropë dhe e dyta në botë pas Shteteve të Bashkuara, duke i siguruar armë dhe ndihma të tjera Kievit për të shtyrë forcat ruse./REL