Connect with us

Kosova

‘Putini e di se çdo vend që kërcënon Kosovën do të nxisë veprime ushtarake nga SHBA’

Alon Ben-Meir, profesor amerikan në pension dhe njohës i zhvillimeve ballkanike, duke folur rreth paralajmërimeve të zyrtarëve kosovarë se Rusia mund të provokojë konflikt përmes Serbisë, ka thënë se kushdo që kërcënon Kosovën, do të nxisë veprime ushtarake nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Sipas tij, për këtë është i vetëdijshëm edhe presidenti rus, Vladimir Putin, i cili, prej se ka nisur agresioni i Rusisë në Ukrainë, në shkurt 2022, ka bërë përpjekje të vazhdueshme të shpërqendrojë vëmendjen e SHBA-së dhe BE-së nga lufta atje, duke nxitur tensione në rajonin e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht në pjesën veriore të Kosovës.

“Putini e di shumë mirë se çdo vend që kërcënon sigurinë kombëtare të Kosovës do të ftojë BE-në dhe SHBA-në për veprime ushtarake kundër çdo autori”, ka shkruar ai në një postim në platformën “X” të enjten, duke sugjeruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të ndjekë zhvillimet rajonale, por të mos flasë për sulme eventuale.

“Kryeministri Kurti duhet të ndjekë zhvillimet rajonale, veçanërisht rreth atyre që thotë dhe bën Putini i Rusisë. Megjithatë, ai nuk duhet të supozojë se Serbia do të rrezikojë veten duke rrezikuar një luftë me forcat e BE-së dhe SHBA-së vetëm për të kënaqur dëshirën e Putinit për të destabilizuar rajonin”, ka argumentuar Ben-Meir.

Sot, siguria në Kosovë mbikëqyret nga misioni paqeruajtës i NATO-s (KFOR). Por, pavarësisht pranisë ushtarake të aleancës, shtatorin e vitit të kaluar ka ndodhur një sulm i armatosur nga një grup i paramilitarëve serbë në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e Kosovës.

Advertisement