Connect with us

Kosova

Qëllimi i tyre është njohja e Kosovës/ Vuçiç: Besoj se do të gjejmë rrugëdalje

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se biseda që ai pati me Big Five, në Beograd, ka qenë e vështirë, duke theksuar se nuk ka tema të lehta për Serbinë kur është fjala për Kosovën. Ai u shpreh në TV Pink se nuk mund të flasë për detaje, “Natyrisht që gjithçka që ka të bëjë me Kosovën është e vështirë për ne. Nuk është vetëm për shkak të Banjskës, por në kuptimin strategjik, qëllimi i tyre i vetëm është që ne të njohim Kosovën e pavarur” – deklaroi presidenti serb, duke shtuar se “25 nga 27 shtetet më të mëdha e kanë njohur Kosovën e pavarur” dhe tha se “është e qartë se si janë gjërat”. “Unë shpresoj se do t’ia dalim dhe besoj se do arrijmë të gjejmë një rrugëdalje. Serbia do të vazhdojë të ecë në rrugën e duhur për të ruajtur thelbin e interesat kombëtare” – theksoi Vuçiç. I pyetur nëse pret presione të reja, presidenti serb tha se është e vështirë të imagjinohet se çfarë do të ndodhë dhe se nuk duhet të flasë për presione. “Ata kanë politikat e tyre. Këndvështrimi i tyre është në kundërshtim me tonin. Për ta Kosova është e pafajshme dhe kjo bazohet në vendimin e tyre, pa asnjë akt, por ne duhet të kuptojmë llojin e realitetit që tregon se SHBA-ja dhe Gjermania nuk do të ndryshojnë qëndrimin e tyre. Ata do të jenë edhe më të fortë në të ardhme për të argumentuar se nuk kanë gabuar” – ka thënë Vuçiç dhe ka paralajmëruar se të enjten ose të premten do të jetë në Bruksel për çështjen e Kosovës, ku sipas tij, “do të luftojë për pikëpamjet e Serbisë.” I pyetur për faktin se opozita ka insistuar që të vendosen sanksione ndaj tij për shkak të incidenteve në Banjskë dhe për këtë kërkesë, i ka shkruar shefit të diplomacisë së BE-së Borrell, presidenti Vucic u shpreh se fakti që opozita ka shkruar atë letër, është një rast unik në botë. “Nuk ka ndodhur kurrë që opozita ti kërkojë një vendi sanksione ndaj presidentit. Kjo është një qasje e papërshtatshme, joserioze, antishtetërore dhe antipopullore” – theksoi presidenti serb. “A mund të thotë dikush nga Hamasi se ata janë përgjegjës për bombardimin e spitalit në Gaza? A mund të thotë ndonjë Izraelit, se Netanyahu është përgjegjës për bombardimin e spitalit? Opozita nuk e do Serbinë, nuk merakoset për njerëzit por duan karrige pushteti” – theksoi Vuçiç, duke shtuar se “nuk do të ketë sanksione ndaj Serbisë” dhe se “qytetarët nuk kanë për çfarë të shqetësohen”

Advertisement