Connect with us

Politike

Qëndrimi i Kim, Rama: Ka nisur procesi i zëvendësimit

Procesi i zëvendësimit të Yuri Kim ka nisur, ndonëse vetë ambasadorja amerikane që është drejt mbarimit të mandatit ka konfirmuar se do të jetë edhe pak më gjatë në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se nuk është thyer etika diplomatike duke theksuar se është nisur nga departamenti i Shtetit si për të gjithë ambasadorët.

Rama u shpreh se Ministria e Jashtme bëri njoftimin për procedurat e zëvendësimit pasi Amerika është e veçantë për Shqipërinë. Në një konferencë për media në mbyllje të mbledhjes së tij me drejtuesit politikës të PS në qarqe, kreu i qeverisë hodhi poshtë të gjitha spekulimet se ka krisje të marrëdhënies me ambasadoren Kim.

“Nuk është thyer asnjë etikë dhe procesi për zëvendësimin ka nisur siç është thënë dhe nga ministria e jashtme. Nuk e kemi nisur ne procesin por departamenti i shtetit. Amerikën e kemi të veçantë. Ngjitja mes meje dhe ambasadores është më e fortë se kurrë, në mund ta përdorim metaforën me krisje dhe ngjitje. Nuk ka asnjë problem, ne kemi pasur dje një takim të gjatë, konstruktiv, miqësor, nuk ka asnjë problem. Domethënë, kush e shpreson krisjen, gabon”, tha Rama.

Sa i takon akuzave për përfshirjen e ish zëvendës kryeministrit, Arben Ahmetajt në çështjen e inceneratorëve, kryeministri Edi Rama refuzoi të prononcohej për këtë çështje pa patur një vendim përfundimtar nga hetimet e bëra. Ndërsa për zgjedhjet e 14 majit, Rama me bindje se do të mposhtin opozitën tha se kanë nisur fazën e planifikimit të fitores duke shtuar se patronazhistët janë gati.

Kujtojmë se në 8 dhjetor të këtij viti, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bëri me dije se ishin nisur procedurat për zëvendësimin e Yuri Kim në postin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.

Burime të “Report Tv”, bënë me dije se në vend të saj, në pozitën e ambasadorit amerikan në Shqipëri, pritet të emërohet David Kostelanick. Ky i fundit njihet si njohës i çështjes Ruse, teksa aktualisht ka pozicionin e drejtorit në Zyrën për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Të njëjtat burime konfirmuan se Ambasadorja Kim do të jetë kandidate për t’u bërë diplomate e re amerikane në Korenë e Jugut, pozicion që e pretendon edhe ish-komandanti i Forcave Amerikane të Koresë, Vincent Brooks, janë midis kandidatëve që do të marrin postin e rëndësishëm në Korenë e Jugut. Burimet bëjnë me dije gjithashtu se këtë informacion Kim e ka ndarë edhe me Presidentin, Bajram Begaj, gjatë takimit të zhvlluar të martën.

Advertisement