Kosova
Qeveria e di se për momentin s’mund të bëhet fjalë për hapjen e urës së Ibrit
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde, ndërsa ka përsëritur qëndrimin e shtetit gjerman për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për qarkullimin e automjeteve, ka theksuar se “për momentin nuk bëhet fjalë për hapje” dhe se këtë “ia kemi komunikuar edhe Qeverisë”.
Sipas tij situata aktuale e sigurisë nuk është në favor të hapjes së kësaj ure, edhe pse ka një marrëveshje të arritur kohë më parë për këtë.
“Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës. Natyrisht, ne kemi të njëjtat qëllime si ato të Qeverisë, që të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen. Dhe, ka edhe një vendim nga këto marrëveshje që duhet zbatuar, dhe qe është marrëveshja e arritur për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Por, koha nuk është tani, pasi ka rrezik për tensione”, ka deklaruar ambasadori, I cili gjithashtu ka vlerësuar se ura e Ibrit mund të hapet vetëm atëherë kur do ketë siguri për të ndodhur një gjë e tillë
“Duhet të ketë një proces, duhet të ketë konsultime, por për momentin nuk bëhet fjalë për hapje. Këtë ia kemi komunikuar Qeverisë. Për sa kohë mendojmë se nuk është momenti i duhur për t’u hapur ura, duhet të qëndrojmë në situatën aktuale”, ka theksuar Rohde