Kosova
Qeveria Kurti/ Një përplasje në horizont mes BE-së dhe Kosovës
Një përplasje tjetër mes Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës duket në horizont. Përplasje po aq e madhe sa ajo e muajit maj ku dallimi në interpretime për atë që kishte ndodhur në takimin e 2 majit ishte tepër i madh. Tani, çështja ndryshon por dallimi vazhdon të jetë i madh.
Në një mënyrë jashtëzakonisht të çuditshme u raportua një deklaratë me implikime të forta politike nga ana e zv. kryeministrit Besnik Bislimi më 24 korrik, sipas të cilit “Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri pa u hequr sanksionet nga BE-ja.”
Dy ditë më pas, kësaj i mëshoi edhe më fort kryeministri Albin Kurti. Ai tha që “nuk ishte kushtëzim” formulimi i mësipërm por thjesht “e logjikshme që të ndodhë paraprakisht” heqja e sanksioneve nga BE-ja para se të shpalleshin zgjedhjet e reja.
“Nuk besoj që dikush pret që pa u bërë deeskalimi i plotë të ketë zgjedhje në veri, por natyrisht që ne e vazhdojmë punën edhe më tutje. Ne jemi duke u përgatitur që të ketë zgjedhje të parakohshme,” – deklaroi kryeministri Kurti.
Sipas analistëve politik në Kosovë, kjo nënkupton se nuk ka ende një qartësim nëse pozicioni qeveritar përcaktohet me foljen “duhet” apo me foljen “do”. Kosova nuk do të shpallë zgjedhje në veri pa u hequr sanksionet nga BE-ja vs Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri pa u hequr sanksionet nga BE-ja. Duket se Qeveria Kurti nuk e di ende, teksa BE-ja në anën tjetër po kërkon që zgjedhjet e reja “do të duhej të njoftohen sa më shpejt të jetë e mundur”