Connect with us

Bota

Qindra vetë protestojnë në Gaza kundër Hamasit

Për të dytën ditë radhazi qindra palestinezë dolën në një protestë kundër Hamasit për të shprehur zemërimin e tyre për gjendjen në Gazë. Në Rripin e Gazës pati për të dytën ditë radhazi protesta të mëdha për përfundimin e luftës me Izraelin si dhe kundër Hamasit. Mijëra palestinezë demonstruan në disa zona të rajonit, si Beit Lahia dhe në Qytetin e Gazës në veri, dhe në Chan Junis në rajonin bregdetar jugor. Revoltat kundër Hamasit ngjarje të rralla

Protesta dhe shpërthime publike kundër Hamasit në Rripin e Gazës janë të rralla. Agjencia e lajmeve AFP njoftoi se sipas dëshmitarëve okularë, protestuesit bënë thirrje për t’i dhënë fund luftës me Izraelin.

Protesta kundër Hamasit filloi të martën në qytetin verior të Gazës, Beit Lahiya, ku ishin mbledhur rreth 3,000 vetë, që brohorisnin “Populli do rënien e Hamasit”, njoftoi agjencia e lajmeve AP.

Veriu i Gazës është goditur veçanërisht rëndë gjatë luftës. Shumica e infrastrukturës së kësaj zone është rrënuar dhe nga kjo zonë ka pasur shumë të zhvendosur.

Në lagjen Shijaiyah të qytetit të Gazës, e cila është goditur rëndë nga sulmet, dhjetëra burra që ishin mbledhur në protestë brohoritën “Jashtë,Hamasi, Jashtë!” .

Në qytetin e Gazës protestuesit mbanin pankarta, në të cilat shkruhej “Hamasi nuk na përfaqëson”.

Hamasi nuk u kundërvihet protestave

Më parë Hamasi kishte përdorur dhunë ne rast protestash kundër kësaj organizate. Kurse gjatë protestave të tanishme në Rripin e Gazës, thuajse nuk pati asnjë ndërhyrje nga grupi militant.

Ky demonstrim i rrallë i mospajtimit ndaj grupit militant Hamas vjen më shumë se një javë pasi ushtria izraelite rifilloi fushatën e saj të bombardimevepas gati dy muajsh armëpushimi./DW

Advertisement