Shkrime
Racionaliteti që rrezikon t’i humbasë zgjedhjet
Nga Baton Haxhiu
Disa ditë para votimit, kjo qasje ka dy lexime. Për votuesin e pavendosur, për bizneset dhe shtresën e mesme urbane, Bedri Hamza shfaqet si alternativë e sigurt dhe e parashikueshme. Një njeri që nuk premton mrekulli, por korrigjim modeli. Për këtë publik, gjuha e tij është forcë.
Por politika rrallë vendoset vetëm nga racionaliteti. Intervista e Hamzës në T7 e bën të qartë këtë tension themelor mes arsyes dhe emocioneve. Ai flet qetë, me argumente, me kujtesë institucionale dhe me një logjikë ekonomike që ndërtohet mbi përvojë, jo mbi retorikë. Dhe pikërisht këtu qëndron paradoksi i tij elektoral.
Hamza nuk flet për pushtetin për ta rrëzuar, por për ta korrigjuar. Ai nuk kërkon përmbysje, por rregullim. Në thelb, ai po thotë se problemi i Kosovës nuk është mungesa e vullnetit politik, por modeli i gabuar ekonomik. Një model që e ka shndërruar vendin në ekonomi konsumuese, të varur nga importi dhe e pambrojtur ndaj goditjeve të jashtme.
Kjo është kritikë serioze ndaj pushtetit aktual. Por është kritikë pa emra, pa tone akuzuese, pa dramë. Hamza flet për pasojat, jo për fajtorët. Dhe në një fushatë elektorale, kjo është një zgjedhje e rrezikshme.
Por racionaliteti ka një dobësi strukturore në politikë. Ai kërkon kohë për t’u kuptuar, ndërsa irracionaliteti kërkon vetëm emocion për t’u ndjerë. Hamza nuk mobilizon frikë, as zemërim, as entuziazëm artificial. Ai mobilizon mendimin. Dhe mendimi nuk fiton gjithmonë zgjedhje.
Kjo intervistë e vendos Hamzën më afër figurës së teknokratit ekonomik sesa liderit opozitar frontal. Ai flet për sistemin, jo për armikun. Për ekonominë, jo për moralin. Për kapacitetet energjitike, jo për premtime të shpejta. Kjo e bën të besueshëm për institucionet dhe bizneset, por më pak shpërthyes për masën elektorale.
Në fund, pyetja që del nga kjo intervistë nuk është nëse Hamza ka të drejtë. Pyetja është nëse katër ditë para votimit, Kosova është gati të votojë për arsyen në një betejë ku zakonisht fitojnë emocionet.