Connect with us

Shkrime

Radoiçiç me plan të dorëzohet?/ Flet eksperti për Ballkanin

Grupi Ndërkombëtar i Krizave e ka vendosur konfliktin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në listën e krizave për t’u vëzhguar në Evropë gjatë vitit 2024, krahas luftës në Ukrainë.

Në lidhje me këtë, eksperti për Ballkanin i kësaj organizate Marko Prelec, i tha Zërit të Amerikës se pritjet për një normalizim në mes Kosovës dhe Serbisë këtë vit janë zbehur plotësisht dhe se veprimet e fundit tregojnë se asnjëra palë nuk është e interesuar për t’i dhënë fund konfliktit.

“Nuk po paralajmërojmë një konflikt të shkallës së gjerë, por jemi të shqetësuar se ky konflikt do të kalojë në gjendje të ngrirë sërish. Në Kosovë shohim një qeveri që po shtrin sovranitetin e saj në veri, që kundërshtohet nga një pjesë e popullatës vendase, e cila vazhdon të mbështet tek institucionet e Serbisë, të cilat funksionojnë aty në mënyrë të jashtëligjshme. Shtrirja e sovranitetit ishte e pashmangshme, por mënyra se si është bërë eshte alarmuese dhe shqetësuese për popullatën vendase. Ka patur rezistencë, e cila mund të vazhdojë, por, nuk mendoj se do të ketë përshkallëzim më të madh sa ai që kemi parë deri tani” – deklaroi Preleç

Teksa ai ka theksuar nevojën për dialog si mënyra për të tejkaluar tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe ndërsa ka një dekadë që dialogu nuk ka arritur të zbusë tensionet, njohësi I zhvillimeve rajonale theksoi: –

“Dialogu nuk ka prodhuar shumë rezultate, por nëse shikojmë tërë periudhën historike, që kur Bashkimi Evropian filloi të ndërmjetësojë rreth vitit 2011, janë shënuar arritje të rëndësishme. E tërë historia e integrimit të serbëve në Kosovë është bërë për shkak të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Por vitet e fundit ka shumë pak rezultate, për të mos thënë aspak. Ajo që kemi parë janë veprimet e njëanshme të qeverisë së Kosovës që kane ndryshuar gjendjen në terren”.

Në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, I bëhet thirrje BE-së që të ushtrojë trysni mbi Serbinë për të gjetur burimin e armatimit të rëndë dërguar paramilitarëve serbë në Kosovë. Ne lidhje me kete, Preleç sqaroi: –

“Është e qartë që ato armë erdhën nga Serbia dhe janë dërguar kohët e fundit. Pra, janë prodhim i kohëve të fundit. Këto armë nuk mund t’i gjesh, të themi, në treg të hapur. Ka shumë mundësi që grupi i udhëhequr nga Milan Radoiçiqi të jetë stërvitur deri diku nga ushtria e Serbisë. Kjo është çfarë dimë. Ajo çfarë nuk e dimë saktë është se cili ishte qëllimi i tyre. Unë do thoja se kishin si synim nxitjen e një konflikti të armatosur me njësitë speciale të policisë së Kosovës me shpresë që KFOR-i do të tërhiqej në konflikt duke u futur mes të dyja palëve dhe të merrte kontrollin e plotë mbi veriun e Kosovës dhe do t’i urdhëronte autoritetet e Kosovës që të largoheshin tërësisht nga ajo pjesë. Për mua vetëm kjo ka kuptim. Grupi nuk duket të ketë qenë aq i madh numerikisht sa për ta marrë vetë kontrollin e plotë mbi tërë veriun e Kosovës. Por nga ana tjetër armatimi i tyre ishte i tillë që përdoret vetëm kundër një kundërshtari të armatosur mirë me armë të blinduara si njësitë speciale të Kosovës. Rrjedhimisht, mund të mendohet se kishin në plan t’i përdornin këto armë dhe me qëllim për të vrarë”

I pyetur se “Çdo të thotë kjo për qasjen e Serbisë ndaj Kosovës dhe ndaj rajonit?”  – Marko Prelec deklaroi: –

“Nuk është sekret që Serbia nuk pajtohet me humbjen e Kosovës dhe se ende shpreson që ta rimarrë Kosovën, sigurisht jo të tërën, dhe këto shpresa janë të përqëndruara në veri, në pjesë e banuar me shumicë serbe. Shumë vëzhgues, përfshirë mua, e shohim logjikën e të menduarit të qeverisë në Beograd si jo të qartë dhe të vështirë për t’u lexuar. Andaj na mbetet ta gjykojmë përmes veprimeve të tyre. Dhe nganjëherë, si në këtë rast, ato flasin më shumë se fjalët”

“Ngjarja në Banjskë ishte me të vërtetë një kthesë e madhe. Serbia dhe serbët e Kosovës sigurisht ndihen të humbur shumë në këtë ngjarje. Kjo u kushtoi një pjesë të mirë të simpatisë ndërkombëtare që e kishin siguruar ndër vite. Dhe konfirmoi qëndrimin e qeverisë së Kosovës se në veri nuk po ballafaqohej me një popullsi të rebeluar apo të pakënaqur, por me një operacion terrorist të manipuluar nga Serbia për të cilin përgjigja e duhur ishin operacionet anti-terroriste të drejtuara nga policia speciale. Mendoj se njerëzit e kanë kuptuar se ky ishte një gabim i madh I Beogradit dhe atyre njerëzve mes komunitetit serb në Kosovë që kanë qenë të interesuar për një rezistencë të organizuar.

Do të befasohesha po të shihja diçka të ngjashme sërish, por nuk mund ta përjashtojmë por dhe nuk parashikojmë ndonjë konflikt të shkallës së gjerë” – potencoi njohesi i zhvillimeve ne Rajon.

Ndërmjetësit evropianë dhe amerikanë shpresuan që viti 2024 do të ishte viti i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. A mendoni se kjo kornizë kohore është ende realiste?

Duke treguar se nuk ka shenja se ndonjëra prej palëve po mendon për normalizimin e situates dhe marredhenieve, Prelec tha se e vetmja rrugëdalje është marrëveshja.

“Realiteti i situatës në Kosovë është i tillë, që vendi nuk mund të zgjerojë njohjet ndërkombëtare më tej se ç’ka arritur, pa zgjidhur mosmarrëveshjet me Serbinë. Ka siguruar njohjen nga gjysma e vendeve anëtare të OKB-së dhe nuk pritet të sigurojë të tjera. Nuk ka mbetur shumë hapësirë. Tani shpresojmë që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Por nuk mund të shkojë më larg se kaq ngaqë nuk ka mbetur më se çfarë të bëjë. Çështja madhore tani është të arrijë një marrëveshje me Serbinë. Por që kjo marrëveshje të funksionojë, duhet të jetë një marrëveshje që jep dhe merr. Ajo që Kosova mund t’i ofrojë Serbisë është një formë e mirë trajtimi e pakicës serbe. Asociacioni i komunave serbe duhet të kishte qenë pjesë e kësaj. Ky është vetëm një aspekt që është negociuar, por ka alternativa tjera. Gjithsesi, duhet të ketë kompromise nga të dyja palët, por për këtë nuk ka gatishmëri” – theksoi Preleç.

Advertisement