Kosova
Radojiçiç bëri marrëveshje me pushtetin, Vuçiç u shantazhua
Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura serbe, Zdravko Ponosh, ka thënë se kryekrimineli Milan Radojiçiç, është liruar “shpejt” nga paraburgimi, pasi që beson se ai arriti një marrëveshje me autoritetet në Serbi.
Në një prononcim për median opozitare serbe “Danas”, Ponosh është shprehur i bindur se marrja e përgjegjësisë së plotë nga Radojiçiç për sulmin terrorist në Banjë të Zveçanit dhe paraqitja e tij në polici është rezultat i “marrëveshjes së arritur prej tij me autoritetet”
Kryetari i partisë Qendra e Serbisë, pohon se si do të zhvillohen më tej gjërat me terroristin varet nga disa gjëra; “një pjesë e madhe varet nga ajo se kush do të jetë më i suksesshëm në negociatat me Aleksandër Vuçiç-in dhe në presionin e Vuçiç-it-Radojiçiç-it apo lojtarëve të jashtëm”.
“Konkretisht: kujt i detyrohet Vuçiç më shumë, kujt i frikësohet më shumë, kujt i ka premtuar më shumë, kush ka kapacitet më të madh për ta shantazhuar? Vuçiç e di se çfarë po bën me Radojiçiç-in” – theksoi Ponosh, sipas te cilit, kreu i Serbisë “e di atë që di Radojiçiç”, teksa shtoi se ai është “më i pasigurt me lojtarët e huaj”.