Connect with us

Kosova

Radojiçiç është futur në Veri/ Trajkoviç: Po përgatitet për hakmarrje

Rada Trajkoviç, këshilltare e Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, ka thënë se ka zëra që kryekrimineli Milan Radojiçiç – i cili mori përsipër sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit – gjendet në Veri të Kosovës, dhe se, sipas saj, ai po përgatitet për “hakmarrje” për terroristët e vrarë më 24 shtator nga Policia e Kosovës.

“Ka zëra se ai ndodhet në Veri të Kosovës dhe se po përgatit hakmarrje. Ne presim që ambasadori amerikan Christopher Hill ta pyesë Aleksandër Vuçiç-in se pse personat që janë në listën e zezë janë bashkëpunëtorët e tij më të mëdhenj” – ka thënë Trajkoviç në një intervistë për median opozitare serbe “N1”.

Ndërsa, duke folur për shpërthimin e grantës së dorës në orët e vona të së hënës në Mitrovicë të Veriut, ku mbetën të plagosur dy persona, Trajkovic u shpreh se është “mesazh” për serbët nga Kosova, “që mund të kenë fatin  Oliver Ivanoniçit” – i vrarë 6 vite më parë.

“Ky është në fakt mesazhi. Kur shteti nuk punon për diçka, nuk ka siguri në Veri të Kosovës. Shteti vazhdon të lejojë që të dominojnë njerëz që kanë marrë pjesë në organizimin e vrasjes së Ivanoviç-it dhe ky lloj lajmi nuk është befasi” – ka thënë Trajkoviç në intervistë

“Ky është një mesazh, para së gjithash, për serbët nga Veriu i Kosovës: Ne jemi këtu! Nëse nuk jeni besnik, mund të keni fatin e Oliverit’”, shtoi keshilltarja.

Ajo theksoi se ekziston një dokument, i cili ka ardhur nga qeveria amerikane, për përfshirjen e kryekriminelit Milan Radojiçiç – i cili mori përsipër sulmin terrorist të 24 shtatorit – dhe Zvonko Veselinoviç, në vrasjen e Ivanoviç-it.

“Ata janë shënuar në listën e zezë si të përfshirë në organizimin e vrasjes së Oliver Ivanoviç-it. Njerëzit nuk futen në listën e zezë pa prova dhe fakte. Nuk e di nëse i ka kërkuar vendi ynë qeverisë amerikane që t’i informojë për gjetjet e saj për vrasjen e Oliverit, por nuk mendoj se ka kërkuar asgjë”, potencoi Trajkovic, duke shtuar:

“Edhe Veselinoviç-i edhe Radojiçiç janë njerëz që gëzojnë besimi të madh te Qeveria e Serbisë dhe Aleksandër Vuçiçi, sepse ata marrin projekte fitimprurëse dhe janë bërë milionerë”.

Politikania serbe nga Kosova beson se pushteti politik i Vuçiç-it “është shumë i rrezikshëm për shtetin serb dhe popullin serb në këtë moment”.

“Pas Banjskës, ai nuk duhet të negociojë, sepse kapaciteti i tij negociues nuk është më i rëndësishëm. Ai duhet të përgjigjet për sulmin ne Veri, sepse provat tregojnë lidhjen e Radojiçiç-it me organet e sigurisë. Kaq shumë armë nuk mund të gjenden rastesisht” – nënvizoi Trajkoviç.

Advertisement